E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si t'ia bejme me kete grip te tmerrshem?

Julutem doktor, na shkruani diçka per gripin, si te mbrohemi prej tij dhe si ta mjekojme ate.
I nderuar lexues:
Pyetja juaj, në këto momente, është me shumë vend dhe rëndësi. Sot, kryesisht në Tiranë, por edhe në rrethet e tjera të republikës ne jemi duke u ndeshur nga dita në ditë me shtimin e rasteve të të sëmurëve që shfaqin shenjat e sëmundjeve virale, ndër të cilat edhe të gripit.
Gripi ose influenca epidemike, është një sëmundje virale që prek kryesisht rrugët e frymëmarrjes. Ai përbëhet nga shumë tipe e nëntipe dhe që nuk lenë imunitet të kryqëzuar. Është për këto arësy që shpesh njerëzit sëmuren jo vetëm një herë nga gripi brënda vitit dhe habiten se si është e mundur "që gripi të rikëthehet". Gripi mund të paraqitet në formë epidemike një herë në 2-4 vjet, por mundet të shfaqet edhe në forma jo të gjëra, me raste të shpërndara aty këtu e të bashkëshoqëruar edhe me sëmundje të tjera virale, sikurse po vërejmë edhe ne tani. Nga gripi mund të preken të gjitha moshat por më shpesh preken: fëmijët mbi 5 vjeç, të rinjtë dhe adoleshentët. Moshat e treta, për shkak të uljes së rezistencës mbrojtëse të organizmit. Moshat deri në 55 vjeç duket se janë më të mbrojtura dhe më rezistente, paçka se edhe ato nuk përjashtohen. Disi më rrallë preken foshnjat deri në tre muaj sepse, jo vetëm që trashëgojnë një mbrojtje të transmetuar nga nëna gjatë shtatzanisë dhe ushqimit me gji por, edhe për faktin se janë më pak në kontakt me mjedise kolektive.
Koha kur gripi shfaqet më shumë është stina e ftohtë (fundi i vjeshtës- fillimi i pranverës). Porta e hyrjes së infeksionit është aparati i frymëmarrjes. I sëmuri me grip mund ta transmetojë sëmundjen nga dita e parë deri në të pestën nëpërmjet teshtitjes, kollës ose edhe në kontakt direkt me të shëndoshin. Periudha nga marrja e virusit deri në shfaqjen e sëmundjes, varion nga disa orë deri në tre ditë.
Fillimi është i menjëhershëm, me temperaturë 39-40ºC, e cila, ciC edhe po vërejmë, mund të jetë rrebele dhe e padominueshme, me te dridhura (ethe) dhe këmbë e duar të ftohta, që ndonjëherë shoqërohet edhe me konvulsione. I gjithë ky fillim është një gjëndjealarmante, sidomos për prindërit e fëmijëve. Me dhimbje koke, muskujsh e kyCesh. Shpejt dëgjohet një kollë e thatë, bezdisëse e munduese, sidomos për fëmijët, që i ngjan "te lehurit të qenit" dhe që ne e quajmë kollë laringeale dhe që po e gjejmë shpesh në situatën e sotme. Gjëndja e përgjithëshme është tepër e acaruar, të sëmurët janë të lodhur, pa oreks, me të vjella e heqje barku, disi të përgjumur por shpesh herë edhe të acaruar. Koha e zgjatjes së sëmundjes varion nga 2-4 ditë por ndonjëherë edhe 5-6 ditë, në se nuk komplikohet me ndonjë gjëndje tjetër. Si rezultat i dobësimit të organizmit, mundet që gripi të japë komplikacione nga gjallërimi dhe veprimi i mikrobeve. Këto komplikacione vërehen në infeksionin e mushkërive, veshit, veshkave, zemrës por edhe të trurit.
Si ta parandalojmë gripin? –Parandalimi dhe mbrojtja më e mirë ndaj kësaj sëmundje është vaksinimi kundër saj, vaksinim, që për të qënë sa më rezultativ, duhet të bëhet në muajt shtator dhe tetor. Vaksinimi mund të bëhet edhe në muajt e tjerë por: efekti i tij do të ishte i pakët apo edhe i pavlefshëm në se shkaktari i gripit që përmban vaksina do të mbërrijë më shpejt se sigurimi mbrojtës i vaksinës që kërkon të paktën tre javë që të arrihet; duke patur parasysh se vetë vaksina ka një sërë komplikacionesh që mund të japë, duhet mjaft kujdes në situate të tilla sikurse jemi ne në këtë moment. Cdo vaksinim, në këtë situate, duhet të jetë plotësisht i ndjekur me kujdes nga mjeku. Kjo ndjekje vlen kryesisht për fëmijët, të moshuarit, të sëmurët me sëmundje kronike por, nuk përjashtohen edhe ata që e ndjejnë veten të shëndoshë e jashtë këtyre moshave. Në kondita kur nuk jemi vaksinuar, kjo është gjëndja e shumicës së popullatës, parandalimi më i mirë do të ishte largimi nga mjediset me grumbullime njerëzish, konsumimi i lëngjeve të frutave të freskëta dhe marrja e vitamiës C.
Si ta mjekojmë gripin? – Gripi si dhe të gjitha sëmundjet e tjera virale nuk ka mjekim specifik. Asnjë antibiotik nuk ka ndonjë efekt ndaj viruseve, prandaj: Mos përdorni antibiotikë në luftën kundër gripit, ata do të duhet të përdoreshin në rast të ndonjë komplikacioni dhe vetëm me rekomandimin e mjekut! Përdorni Vitaminë C, që është një mjet i mirë në luftën ndaj gripit dhe rrit rezistencën e organizmit. Konsumoni sa më shumë lëngje frutash të freskëta (portokall, manderina, mollë e tj.) dhe çajra të ndryshëm (çaj mali, dafine, blini e tj.) Konsumimi me shumicë i lëngjeve bën të mundur jo vetëm që të përftojmë një sasi energjie (mungesa e oreksit na le pa to) por edhe na ndihmon (sidomos fëmijët) të mos lejojmë organizmin të shkojë drejt tharjes (dehidrimit), një gjëndje kjo mjaft e vështirë për t'u trajtuar në se ndodh! Mbani nën kontroll temperaturën duke përdorur barnat e domosdoshme për të, kryesisht paracetamolin në të gjitha format që tregëtohen nga rrjeti farmaceutik por, kujdes, për fëmijët konsultohuni me mjekun pediatër për lloin që do të përdorni! Me që jemi tek fëmijët mos u jepni atyre asnjëherë aspirinë! Temperatura mbahet nën kontrolln edhe me procedura të ndryshme fizike si kompresat e ftohta në kokë, në kyCet e duarve e të këmbëve apo edhe rreth qafës; fërkimet e masazhet e trupit me raki e aspirinë; banjat freskuese me ujë të ngrohtë që vjen duke u ftohur deri në 35-34ºC (sidomos për fëmijët). Ushqimi që duhet të përdorni të jetë sa më i lehtë dhe sa më shpejt i thithshëm. Ajroseni sa më shpesh shtëpinë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›