E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vegjlit rrisin presionin ndaj partive të mëdha

TIRANË- Partitë e vogla, të majta dhe të djathta, kanë shtuar presionin në drejtim të partive të mëdha, lidhur me sistemin zgjedhor që duhet të aplikohet në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Thuajse në një zë, të vegjlit ritheksojnë kërkesën e tyre për një sistem zgjedhor që të afrojë me atë gjerman, duke nënvizuar se, pragu elektoral nuk duhet të jetë 5 për qind, si në këtë sistem, por të mbetet në nivelin e 2.5 për qind, siç është tani. Përveç sugjerimeve, nuk kanë munguar dje as kërcënimet e partive të vogla për të dalë të vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nëse nuk gjendet një formulë e përbashkët për sistemin zgjedhor dhe pragun elektorale. I tillë ka qenë ai i kreut të PDS-së, Paskal Milo, sipas të cilit, nëse opozita e bashkuar nuk gjen një formulë të përbashkët për reformën e sidomos për sistemin dhe pragun elektoral, atëherë forca politike që ai kryeson do të konkurrojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme. “Në rast se interesat e PDS-së nuk përputhen me formulën dhe sistemin që do të miratohet në përfundim të kësaj reforme, që është në kundërshtim të interesave për zgjedhje të lira e të ndershme, ne jemi të gatshëm për të shkuar dhe të vetëm në zgjedhje”,- tha Milo. Kreu i PAA-së, Lufter Xhuveli është shprehur dje pro mbajtjes së pragut elektoral në kufirin e 2.5 për qind dhe është deklaruar në mbështetje të zhvillimit të zgjedhjeve me një fletë votimi. Përsa i përket sistemit elektoral, sipas Xhuvelit, ai duhet të jetë mazhoritar-proporcional, por të ulet numri i deputetëve që hyjnë në Kuvend nga sistemi mazhoritar dhe të rritet ai nga sistemi proporcional. Ndërkohë, PDK-ja është shprehur dje në mbështetje të sistemit elektoral gjerman, sipas propozimeve të bëra në Komisionin e Reformës Zgjedhore, duke besuar se ky sistem eviton ndërhyrjet e shumta në Kushtetutë dhe eliminon fenomenin negativ të “Dushkut”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›