AKR-ja në pritje të PDK’së

Derisa edhe gjatë ditës së sotme organet drejtuese të PDK-së po vazhdojnë konsultimet për çështjen e koalicionit, zyrtarët e AKR-së thonë se nuk do të lëvizin nga qëndrimet e tyre dhe se tani duhet që PDK të dal me një qëndrim nëse pranon kriteret dhe dëshiron të ketë ose jo koalicion.
Drejtuesit e PDK-së dhe AKR-së që sisa ditë janë duke zhvilluar takime për modifikimin e koalicionit të mundshëm në mes të këtyre dy partive politike, por deri më tani nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje konkrete dhe shkak është bërë posti i presidentit.
Zëdhënësi i AKR-së, Arbër Geci tha se ky subjekt politik nuk do të heq dorë nga qëndrimi i saj që pozita e të parit të vendit t’i takojë liderit Behgjet Pacolli.
“Tashmë qëndrimet tona janë të qarta dhe po presim që PDK të dalë sa më shpejt me një vendim. Sa më shpejt që PDK të merr një vendim për të përfillur kërkesat tona aq më mirë do të jetë për Kosovën dhe institucionet e Kosovës, aq më shpejt Kosova do t’i ketë institucionet e saj. Ne jemi të gatshëm që të qëndrojmë prapa kërkesave dhe kushteve tona për koalicion. Nuk lëvizim nga ato kërkesa dhe ato kushte, mbetet që PDK-ja që të pranojë qëndrime tona”, ka theksuar ai.
Dihet se Aleanca Kosova e Re së bashku me partitë tjera me të cilat bëri koalicion parazgjedhor ka arritur të fitojë vetëm 8 ulëse në Kuvend, përkatësisht AKR ka vetëm 5 deputetë nga strukturat e saj.