Mitrovica me 11 mjekë të rinj
Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës dhe ata të spitalit rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, kanë nënshkruar në fundjavë një marrëveshje mirëkuptimi për mbështetje dhe ndihmë për sigurim të burimeve njerëzore.
Me këtë rast janë nënshkruar kontratat me 11 mjekë të rinj, të cilët do të punojnë në këtë spital. Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, ka thënë se pas ndërtimit të objekteve të reja spitalore me ndihmën e Qeverisë së Norvegjisë, problemi kryesor ka qenë sigurimi i kuadrit mjekësor.
“Rrethanat ekzistuese pas luftës në Mitrovicë kanë rënduar tepër aspektin e shëndetësisë, meqë prej atëherë nuk ka pasur mundësi që qytetarëve të këtij rajoni t’u ofrohen shërbime cilësore shëndetësore. E gjithë kjo situatë ka bërë që edhe kuadri mjekësor të ikë nga Mitrovica”, ka thënë Kastrati. Sipas tij, do të merren të gjitha masat që janë në dispozicion që të tejkalohet ky problem.