Lavdërohet Policia
Në kuadër të luftës kundër narkotikëve dhe zbatimit të strategjisë nacionale kundër krimit të organizuar, Policia e Kosovës vitin e kaluar ka arrestuar rreth 700 persona, si dhe ka konfiskuar mbi 360 kilogramë të substancave të ndryshme narkotike.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Kosovapress se në vitin 2010 Policia e Kosovës ka pasur angazhime shtesë dhe ka shtuar efikasitetin në kapjen e trafikantëve të drogës dhe konfiskimin e substancave narkotike.
“Policia e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar bazuar në planet operative dhe me strategjitë nacionale kundër krimit të organizuar në përgjithësi ka arrestuar diku rreth 680 persona, ndërsa sa i përket sasisë së konfiskimit të substancave narkotike si substanca të dyshuara, ka sekuestruar 364 kg substancë narkotike, ku prej tyre dyshohet të jenë të llojeve të ndryshme si heroinë, marihuanë dhe kokainë, ndërsa nëse marrim një krahasim me vitin paraprak të vitit 2009, janë konfiskuar 82 substanca narkotike të llojeve të ndryshme. Pra, shihet se në vitin 2010, Policia e Kosovës ka pasur angazhime shtesë dhe ka arritur që të ngre sasinë e konfiskimit të arrestimit të personave të dyshuar që janë marrë me këtë veprimtari”, ka thënë ai.
Edhe për këtë vit, Policia e Kosovës do të vazhdojë luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe konfiskimit të narkotikëve, në pajtim me planin strategjik.
“Policia e Kosovës vazhdon luftën e bazuar në strategjinë nga aksionet e luftës kundër drogave, kundër veprave kriminale, planet të cilat kanë filluar bazuar në Planin strategjik të Policisë së Kosovës 2011- 2015, duke u bazuar në objektivat që dalin nga plani strategjik”, ka thënë Kelani.
Strategjia ka për qëllim krijimin e një sistemi unik, të qëndrueshëm dhe efektiv të mbledhjes, përpunimit, analizës dhe përdorimit të të dhënave të inteligjencës për shërbime policore, siç është parandalimi dhe luftimi i krimit, ruajtja e qetësisë publike, e kështu me radhë. Sipas policisë, sistemi i mbledhjes dhe përdorimit të informatave do të jetë shumë i sigurt dhe nuk do të ketë mundësi që informatat të rrjedhin nga policia në ndonjë organizatë kriminale.