E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçahet PDK, demokristianët me dy koka

Nard Ndoka përplaset me partinë për mbledhjen e kryesisë së PDK-së. Janë intensifikuar qëndrimet ndryshe brenda demokristianëve, të cilët kanë vetëm një qëllim ekzistencën në partinë që është themeluar që nga viti 1991. Nën logon e PDK-së, gjatë ditës së djeshme janë zhvilluar dy mbledhje kryesie, njëra e drejtuar në ambientet e selisë së Partisë Demokristiane dhe tjetra nga kundërshtarët e Ndokës vetëm pak metra larg selisë së PDK-së. Në përfundim të mbledhjeve janë vënë re qëndrime të ndryshme brenda partisë së demokristianëve. Nga 21 anëtarë kryesie që ka gjithsej PDK-ja, vetëm 11 prej tyre kanë qenë kundër Nard Ndokës duke mos njohur autoritetin e kryetarit, ndërsa pjesa tjetër janë në favor të tij. Kreu i demokristianëve ka bërë me dije se do të kërkojë ndjekje penale për Anton Gurakuqin për shkak të përdorimit të logos së demokristianëve, duke organizuar mbledhje kundër kryetarit të partisë. Nga ana tjetër, kryesia në të cilën bënin pjesë edhe demokristianët, të cilët renditen si kundërshtarë të kryetarit Ndoka kanë kërkuar që ai të pezullohet si kryetar i PDK-së deri në kongresin e jashtëzakonshëm më 10 maj, duke mos e konsideruar më si përfaqësuesin demokristian në qeveri. Duke sulmuar zv/ministrat që ai vetë i ka zgjedhur nën siglën e PDK për t‘u përfaqësuar në qeveri në nivelet e dyta drejtuese siç janë postet e zëvendësministrave, Ndoka u shpreh se "një zv/ministër asnjëherë nuk mund të sulmojë një anëtar kabineti, për këtë gjë ai duhet të shkarkohet nga Berisha, por do vendosë kryesia e PDK për këtë gjë". Ndoka ka cilësuar Partinë Demokratike si fajtore për revolucionin që është ngritur kundër tij brenda Partisë Demokristiane. "Ky grup influencohet nga PD-ja për të përçarë partinë time. Ky nuk është një grup brenda PDK, por persona që janë jashtë kësaj partie. Pra kemi tre persona që bëjnë pjesë në dy parti të ndryshme brenda mazhorancës", u shpreh Ndoka duke përfshirë në këtë grup tre emra brenda mazhorancës, Jozefina Topallin, Nikoll Lesin dhe Ridvan Boden. Për të shkarkuar dy zv/ministrat, Ndoka, sipas statusit të partisë, duhet të mbledhë Këshillin Kombëtar për të siguruar shumicën e votave për largimin nga kabineti të zv/ministrit Bushati dhe Gurakuqi. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Kolë Tonaj, në një komunikim me mediat, pas mbledhjes së kryesisë tha se "për shkelje të vazhdueshme të statusit dhe programit të PDK-së, për tentativë dhe plane të qarta për ta spostuar partinë majtas dhe shkelje të rënda parimore, kryesia vendosi që Nard Ndoka të pezullohet nga kryetar i PDK-së deri në kongresin e jashtëzakonshëm të datës 10 maj". Kryesia e PDK-së, në mbledhjen e djeshme, vendosi që deri në kongresin e jashtëzakonshëm të datës 10 maj, mbledhjet e saj do të drejtohen nga Nikolin Kurti. Gjithashtu, në mbledhje u vendos të ngrihen komisionet e organizimit të Kongresit, të cilat do të mblidhen çdo ditë dhe çdo dy ditë do të raportojnë në kryesi. Në mbledhjen e kryesisë së PDK-së ishin të pranishëm 11 nga 21 anëtarët e saj. Konfliktet brenda kësaj partie kishin nisur që pas largimit të Nikoll Lesit nga PDK-ja dhe janë intensifikuar më tej pas largimit në mënyrë të fshehtë të kryetarit të grupit parlamentar demokristian, Pashk Ujka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›