Bajerni mund Shalken, fiton Superkupën e Gjermanisë
Rekordmenët gjermanë të Bajernit të Mynihut vazhdojnë të mos njohin kundërshtar në futbollin gjerman. Finalja e 11-të e Superkupës së Gjermanisë vuri përballë dy skuadrat më të mira të Bundesligës, Bajernin dhe Shalken. Klubi bavarez në finalen e Augsburgut aktivizoi pesë titullarët e Kombëtares gjermane në Botërorin e kaluar dhe kanë qenë pikërisht këta lojtarë që kanë bërë diferencën kundër nënkampionëve të Gjermanisë, Shalke 04, e cila nën drejtimin e trajnerit Feliks Magat i mundi 3-1 në finalen e trofeut modest “T-Home”. Por skuadra nga Mynihu nuk toleroi në finalen e Superkupës duke i mundur Raulin me shokë me rezultatin 2-0. Për skuadrën e Bajernit të Mynihut ka qenë Superkupa e tretë e fituar në historinë e saj 11-vjeçare, si dhe trofeu i tretë kombëtar, pas fitores së Kampionatit dhe Kupës së Gjermanisë. Pjesa e parë e takimit ishte pothuajse e barabartë teksa përfundoi në barazim, pa gola. në 45-minutat e dyta të dyja skuadrat rifreskojnë formacionin duke bërë zëvendësime. Pas një aksioni perfekt të Bajernit, golashënuesi më i mirë i Botërorit, talenti Myler në minutën e 75-të nuk e pati të vështirë të shënonte golin me portën bosh. Gjashtë minuta më vonë ka qenë Oliç që ideoi kundërsulmin duke pasuar tek Klose dhe sulmuesi gjerman ka dyfishuar rezultatin, duke vulosur dhe fatin e kësaj finaleje.