E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI: Kemi gati 6 mijë legalizime

Nga Genc Kondi
Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale premton se procesin do ta përfundojë vitin e ardhshëm. Procesi duhet të zhvillohet me etapa kohore dhe do të kalojë në mbledhjet e ardhme të qeverisë. 

TIRANE- Janë 6 mijë dosje legalizimesh, për të cilat duket se kanë përfunduar të gjitha verifikimet, pagesat, hartat e duhura për të përfituar nga procesi i formalizimit të ndërtimeve pa leje. Sipas burimeve nga ALUIZNI, këto ditë mendohet të kalojnë në qeveri emrat e pronarëve të tyre, duke qenë se kthimi i tyre në pronarë me të drejta të plota është kompetencë vetëm e Këshillit të Ministrave. Nga kjo, deri në përfundim të procesit, kërkohet një kohë e gjatë, me ritme të tilla. Por, zyrtarë të Agjencisë së Legalizimeve thonë për Gazetën se në mbledhjet e ardhshme të qeverisë, herë pas here, do të dorëzohet për miratim nga një kontingjent i ri për t'u legalizuar.
Nga 360 mijë ndërtimet pa leje, duket se jo të gjitha do të përfitojnë. Tashmë, ligjet, e ndryshuara herë pas here, parashikojnë ndalime të llojeve të ndryshme, si p.sh, për ndërtimet në zona turistike, ato poshtë linjave të tensionit të larta elektrik, sipër kolektorëve, etj. Por, gjithsesi, shifra, e dhënë zyrtarisht nga vetë ALUIZNI, në një nga aktivitetet e ditëve të fundit të CoPlanit, flet për një fenomen tepër masiv: Në Shqipëri, 60% e pasurive të paluajtshme janë, në fakt, ndërtime pa leje. Pra, gati dy të tretat e gjithçkaje që është ndërtuar.
Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale deklaroi të enjten se 360 mijë ndërtime informale shtrihen në një sipërfaqe prej 320 mije hektarësh, vlera e të cilave llogaritet rreth 8 miliard euro. Sipas ligjit, pronarët e ndërtimeve pa leje duhet ta deklarojnë vullnetarisht origjinën e objektit.
Kompensimi i pronarëve të ligjshëm, toka e të cilëve është zaptuar nga ndërtimet pa leje, do të bëhet me toka të tjera, që do të paguhen nga shteti me çmimin e tregut, ose me para në dorë. Por shoqata e ish-pronarëve asnjëherë nuk ka qenë dakord me këtë mënyrë të kompensimit të pronarëve të ligjshëm. Ata kërkojnë që pronarët e ligjshëm të mos kompensohen me toka në territoret e tjera, por duan t'u kthehet prona e tyre ligjërisht dhe, më pas, ata të jenë të lirë të vendosin t'i largojnë ose jo zaptuesit e pronave të tyre. Shoqata kundërshton edhe kompensimin me çmimin e tregut, pasi, sipas saj, është pronari që vendos çmimin për pronën e vet dhe jo qeveria.
Sasia e madhe e ndërtimeve informale, kundërshtimi i pronarëve të ligjshëm të tokave, mbi të cilat janë ndërtuar qindra mijëra ndërtimet pa leje, e bën procesin të vështirë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›