Tiranë, Bashkia harron parkimet nëntokësore
Tenderi duhej të niste në fillim të muajit nëntor. Tani edhe pse jemi në mes të muajit nëntor, nuk është dhënë asnjë sinjal nga Bashkia e Tiranës për këto projekte, që do t'i jepnin zgjidhje situatës kaotike të parkimeve në kryeqytet.
TIRANE- Projektet e parkimeve nëntokësore në kryeqytet, me sa duket do vonojnë dhe disa muaj. Edhe pse drejtuesit e Bashkisë së Tiranës në lidhje me këtë çështje kanë deklaruar se tenderi për dy projektet e parkimeve nëntokësore, ai tek Parku "Rinia" dhe sheshi "Italia", pranë stadiumit "Qemal Stafa", do të niste në fund të muajit tetor ose në fillim të nëntorit. Por deri tani edhe pse jemi në mes të muajit nëntor, nuk është dhënë asnjë sinjal nga Bashkia e Tiranës për këto projekte, që do t'i jepnin zgjidhje situatës kaotike të parkimeve në kryeqytet. Por edhe pse Këshilli Bashkiak miratoi formën BOT, që do të thotë ndërtim, operim dhe transferim të dhënies me koncesion të dy parkimeve nëntokësore, propozim i cili është dhënë nga Bashkia, ende nuk është shpallur tenderi. Forma BOT e dhënies me koncesion parashikon se pasi të ndërtohen parkimet nëntokësore dhe pas një afati që firmat fituese të tenderit do t'i përdorin ato, do t'i rikthehen sërish në pronësi Bashkisë së Tiranës. Aktualisht dy firma janë interesuar për këto parkingje para se të shpallej projekti për to. Dhe janë përkatësisht firma "Tawan" sh.p.k, e cila ka shprehur interes për projektin e parkimit që do të ndërtohet në nëntokën e Parkut "Rinia", dhe "Gener 2" sh.p.k, për projektin tek sheshi "Italia", pranë stadiumit "Qemal Stafa". Deri tani nga Bashkia e Tiranës është përcaktuar vetëm forma e dhënies me koncesion, e cila parashikon se pas një harku kohor Bashkia rikthehet sërish pronare e tokës. Ndërsa, se sa do jetë koha që firmat fituese të tenderit do t'i shfrytëzojnë këto parkingje, do të përcaktohet në tender. Por periudha maksimale e shfrytëzimit është e përcaktuar me ligj dhe nuk i kalon më shumë se 35 vjet. Në këto parkingje nëntokësore mendohet se minutat e para do të jenë falas, ndërsa pagesa do të jetë sipas orëve të qëndrimit. Ndërkohë që pajtimet mujore do të kenë tarifa të tjera dhe normalisht vendet e veta të përcaktuara në parking. Projektet e këtyre dy parkingjeve janë bërë në përputhje me planin rregullues të qendrës, ku synohet dhënia prioritet lëvizjes së këmbësorëve, biçikletave dhe transportit urban. Ndërkohë që mbitoka në këto dy projekte nuk do të ndryshohet.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)