Studentët e Politeknikut, grevë për provimet
Nis mbledhja e firmave kundër vendimit të Senatit. Sipas Statutit të Universitetit Politeknik të gjithë studentët e para Bolonjës, deri në fund të vitit shkollor '09-'10, duhet të kenë mbyllur të gjitha detyrimet.
TIRANE- Studentët e Universitetit Politeknik në Tiranë, të cilët janë me sistemin e vjetër të arsimit të lartë, shprehen kundër vendimit të senatit të Politeknikut, i cili përcakton se këta studentë duhet të kenë mbyllur të gjitha detyrimet që kanë ndaj shkollës deri në fund të vitit shkollor 2009-2010. Përndryshe, do të kalojnë automatikisht në sistemin e Bolonjës. Ndaj studentët në bashkëpunim me Qeverinë studentore janë duke mbledhur firmat e të gjithë atyre të viteve të pesta, pra të brezit të fundit të studentëve me sistemin e vjetër të arsimit të lartë, për një peticion kundër vendimit të Senatit. Sipas studentëve, nëse nuk do merren parasysh kërkesat e tyre, atëherë ata do të bëjnë grevë.
Peticioni
Ka nisur mbledhja e firmave të studentëve të viteve të fundit në Universitetin Politeknik, për të bërë të mundur ndryshimin e vendimit të Senatit. Vendim i cili parashikon se, studentët që nuk mbyllin provimet që kanë deri në vitin shkollor 2009-2010, kalojnë në Sistemin e Bolonjës. "Deri tani kemi mbledhur të gjitha firmat e studentëve të Politeknikut: Elektrik, Elektronikë, Mekanik, etj. Këtë javë do fillojmë të mbledhim edhe firmat e studentëve në Fakultetin e Inxhinierisë", - sqarojnë përfaqësues të qeverisë studentore. Sipas tyre, pasi të mblidhen të gjitha firmat e studentëve, ata do t'i paraqesin Rektoratit, Dekanatit dhe Senatit të Politeknikut, kërkesat e tyre për ndryshimin e këtij vendimi të marrë prej këtyre të fundit. "Pas mbledhjes së firmave nga shumica e studentëve që preken nga ky vendim, do të kërkojmë ndryshim të tij. Nëse kërkesat nuk do të merren parasysh, atëherë do të bëjmë grevë", - sqarojnë studentët.
Kërkesat
Sipas studentëve, vendimi për dhënien e të gjitha provimeve deri vitin tjetër akademik nuk është i drejtë, sepse duke qenë se një pjesë e tyre kanë një numër të madh provimesh të mbartura, nuk mund t'i mbyllin të gjitha detyrimet deri vitin që vjen. Aktualisht në Universitetin Politeknik është ende një brez studentësh të cilët janë me sistemin e vjetër, pra studentët që aktualisht janë në vitin e pestë. "Ne kërkojmë që të shtyjnë dhe për një vit afatin që kanë përcaktuar. Ose të shtojnë sezonet se kur mund të shlyhen këto detyrime, sepse është shumë e vështirë që t'i japësh provimet e mbartura për dy apo tri sezone, duke qenë se ka dhe nga ata studentë që kanë mbi 10 provime të mbartura", - kanë sqaruar studentët. Ndaj ata kërkojnë që ky vendim i marrë të shtyhet edhe një vit më shumë ose të shtohen datat e dhënies së provimeve, të ketë vjeshtë të vogël para sezoneve. Sepse nëse studentët nuk i mbyllin provimet në kohë sipas vendimit të Senatit, ata kalojnë automatikisht në sistemin e Bolonjës. Futja në sistemin e Bolonjës për këta studentë është një gjë negative, sepse atyre jo vetëm që do t'u duhet të bëjnë dhe një vit më shumë shkollë, pro do t'u shtohen edhe provime të tjera që parashikohen me këtë sistem të ri. Ndërkohë që për studentët e sistemit të vjetër ekziston e drejta që, nëse dëshirojnë të inkludohen në sistemin e Bolonjës, me një kërkesë në dekanat mund t'i atashohen këtij sistemi.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)