E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI: Legalizimet para zgjedhjeve parlamentare

Nëndrejtori i ALUIZNI-t, Ferdinant Shehu, ka pohuar dje se procesi i legalizimeve do të përfundojë brenda qershorit

Qeveria është e vendosur që të përfundojë procesin e legalizimit të ndertimeve pa leje para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Numri dy i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizmit të Zonave Informale, Ferdinant Shehu, shprehet i sigurtë se kjo agjenci do të mund të përfundojë legalizimin e zonave informale brenda këtij mandati qeverisës, ashtu siç ka qenë premtuar edhe më parë. “Ky proces pritet të përfundojë sipas premtimeve të dhëna të kësaj qeverie, çka do të thotë se do të mbarojë brenda mandatit të qeverisjes”,- deklaroi Shehu. Sipas tij, pocesi i legalizimeve do të ketë një nga impaktet më të mëdha në zhvillimin e ekonomisë së vendit, për vetë faktin se ai do të zhbllokojë mijëra pasuri të cilat deri më tani nuk futeshin dot në treg për shkak se ishin të panjohura si pronësi. “Janë rreth 150 mijë prona dhe nëse llogarisim secilën me vlerën aktuale të tregut prej afro 50-60 mijë euro secila, do të kenë impakt në ekonomi”, - tha Shehu. Këto ndërtesa duke u bërë pjesë e tregut, shpjegoi Shehu, përveç përfitimit të tyre si pronarë të këtyre banesave do të sjellin edhe impakt në ekonomi, pasi do t’i bashkohen armatës së pronave të tjera të cilat kryejnë veprimet fiskale, tatimore të pasurisë etj. Ai ka sqaruar se ka tre natyra legalizimi që janë ndërtimet në masë në zonat periferike, ndërtimet e pallateve me shtesa para vitit 1993, ndërtimet e veçuara në zonat urbane dhe shtesat e pallateve shumëkatëshe, të cilat kanë deformuar projektet e tyre dhe sot janë jashtë tregu për shkak të mosmarrjes së lejes së shfrytëzimit. Më tej Shehu nënvizoi se çdo javë do të ketë dosje dhe përgatitje të vendimeve të Këshillit të Ministrave për kalim pronësie, pasi tashmë i gjithë sistemi i punimit të të dhënave, i azhornimit në terren, i përgatitjes së dosjes ka hyrë në atë ciklin e vet të punës. Shehu bëri të ditur se lejet e para të legalizimit priten të lëshohen nga fundi i muajit që sapo hymë dhe më pas çdo ditë do të ketë dhënie të lejes së legalizimit në të gjithë territon e Shqipërisë, e cila do të pasohet me kartelën e pronësisë për regjistrim në zyrën e Pasurive të Paluajtshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›