E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Është koha për një politikë evropiane

Kreu socialist ka vijuar turin e tij “Dialog me Shqipërinë” në veri të vendit

Kreu i Partisë Socialiste ka vazhduar dje sërisht turin e tij “Dialogu me Shqipërinë” në veriun e vendit duke u ndalur në fshatin Kaldrun të komunës Qendër në Malësinë e Madhe. Në takimin me banorët e kësaj zone Rama ritheksoi edhe një herë nevojën e një bashkimi të të gjithë qytetarëve përtej bindjeve të tyre politike kundër politikës së vjetër dhe gjithashtu bëri të ditur idenë e një programi të ri të PS që do të bëjë të mundur kthimin e dinjitetit të punës në fshat. “Nuk është koha për t’u ndarë në dhjetëra parti, por është koha për t’u bashkuar në emër të fëmijëve tanë, përtej kufijve të partive dhe për t’i thënë politikanëve të vjetër që vazhdojnë të ushqejnë dasi, sherr, me fyerje, me shpifje, baltë dhe që nuk janë në gjendje të thonë se çfarë kanë bërë dhe se çfarë do të bëjnë për bukën e përditshme të familjeve shqiptare,”- tha kreu i opozitës. Në vijim të fjalës së tij Rama gjithashtu foli edhe për nevojën e një politike europiane duke u shprehur se “kjo politikë nuk na duhet më, sepse kësaj lloj politike ne nuk duhet t’i japim frymë. Na duhet një politikë tjetër, na duhet një politikë europiane, ku ata që përfaqësojnë popullin debatojnë për ide, për programe, për mënyrën se si populli duhet të jetojë më mirë dhe nuk debatojnë se kush është më i zoti për të sharë, akuzuar apo hedhur baltë mbi tjetrin”. Kështu sipas Ramës më shumë se bërja e premtimeve, qellimi i tij dhe partisë që drejton është dhënia fund e politikës së vjetër duke u fokusuar në një komunikim të përbashkët me njerëzit. Rama ritheksoi se do të jenë pikërisht rezultatet e takimeve të zhvilluara në gjithë Shqipërinë baza e programit të ndryshimit të madh që do të sjellë Partia Socialiste në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Gjithashtu kryetari i Partisë Socialiste ka vazhduar gjatë pasdites së djeshme të tjera takime në Malësi të Madhe. Duke u ndalur në fshatin Ktosh Rama ka atakuar qeverinë se ka lënë pas dore interesat e popullsisë që jeton në fshat. “Partitë kanë ardhur gjithmonë te ju për të marrë vota dhe ju kanë dhënë arsye për të votuar kundër tjetrit, por shumë rrallë janë përpjekur për t'ju dhënë arsye që të votoni pro vetes tuaj. Është koha që qytetarët të mos votojnë kundër dikujt, por pro familjes së tyre dhe fëmijëve, pro punësimit dhe mirëqenies, të votojnë pro që fëmijët e këtij vendi të rriten të shkolluar dhe edukuar, që e ardhmja e tyre të mos i ngjajë të tashmes, që e ardhmja e tyre të jetë e ardhmja e shqiptarëve që jetojnë në mes të Europës”, - theksoi kryesocialisti gjatë fjalës së vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›