ALUIZNI do të shesë trojet që morën fshatrat turistikë
BLEDAR HOTI
Qeveria i jep të drejtën ALUIZNI-t për të realizuar shitjen e trojeve shtetërore dhe të ish-pronarëve për vilat e fshatrat turistikë. Projektligji i qeverisë “Për rregullimin e pronësisë për truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin” është depozituar në Kuvend dhe parashikon procedurat, që duhet të ndiqen për blerjen e truallit nga banorët që kanë blerë këto vila, në të ashtuquajturat zona të stimuluara. Në variantin e parë të projektligjit, qeveria parashikonte krijimin e Komisionit të Posaçëm për të realizuar shitjen e truallit dhe më pas hipotekimin, ndërsa tani është caktuar agjencia që merret me legalizimin e banesave informale. Projektligji parashikon të zbatohet për kalimin, subjekteve të interesuara, të së drejtës së pronësisë mbi njësitë dhe truallin, brenda zonës së stimuluar me përparësi turizmin. ALUIZNI do të kompensojë ish-pronarët financiarisht, në rast se trualli është i atyre pranë njësisë së ndërtimit. Subjekti i interesuar që gëzon njësinë e ndërtimit, vilën apo shtëpinë, sipas nenit 4 dhe 5 të draftit, duhet të paraqesë pranë ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve pas njoftimit publik, dokumentet: a) kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës; b)kontratën e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar; c) planimetrinë në m2 për njësinë e ndërtuar dhe kopje të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar”. Këto dokumente së bashku me kërkesën depozitohen në zyrat e ALUIZNI-t. Çmimi i truallit duhet të paguhet me vlerën e tregut të parashikuar sipas vlerës së hartës të tokës që aplikon Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kur trualli i shitet subjektit të interesuar, çmimi paguhet në masën 80 për qind të vlerës së truallit prej subjektit dhe 20 për qind nga personi i stimuluar (firma). Ndërsa në procedurat e përllogaritjes së çmimit të truallit, subjektit të interesuar i reduktohet në masën 10 për qind, nëse paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim dhe në masën 20 për qind në rastet paguhet brenda 1 muajit. Ndërsa fondi që krijohet nga shitja e trojeve do të kalojë menjëherë në arkën e Agjencisë së Kthimit të Pronave për të shërbyer për kompensimin financiar të ish-pronarëve.
Pjesë nga projektligji
Neni 4
Dokumentet
Subjekti i interesuar, që gëzon njësinë e ndërtimit, duhet të paraqesë, pranë ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve pas njoftimit publik, dokumentet e mëposhtme:
a) kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës;
b)kontratën e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar;
c) planimetrinë në m2 për njësinë e ndërtuar dhe kopje të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.
Neni 5
Subjekti i stimuluar gëzon njësinë e ndërtimit, duhet të paraqesë, pranë ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve pas njoftimit publik, dokumentet e mëposhtme:
a) kërkesën për kalimin e truallit në pronësi, të plotësuar sipas formularit tip, të miratuar nga ministri përgjegjës;
b) marrëveshjen e qirasë apo të zhvillimit, të lidhur ndërmjet personit të stimuluar dhe qiradhënësit;
c) lejen e ndërtimit për njësinë e ndërtuar;
d) dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtimit, nëse ka
e) kopje të identifikimit ose ekstrakt të regjistrimit tregtar.
Neni 8
Çregjistrimi i veprimit juridik
ALUIZNI kërkon nga ZRPP-ja çregjistrimin e veprimit juridik, për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtimit.
Neni 9
Blerja e truallit
Kur trualli i shitet subjektit të interesuar, çmimi paguhet në masën: a) 80% e vlerës së truallit prej subjektit; b) 20% e kësaj vlere, nga personi i stimuluar.
Neni 10
Procedura e kalimit të së drejtës së pronësisë së truallit
1. Kur dy ose më shumë persona gëzojnë njësinë ose njësitë e ndërtimit brenda së njëjtës zonë të stimuluar, trualli kalon në bashkëpronësi të detyrueshme, në tërësi.
2. Ministri përgjegjës ngarkon ALUIZNI-n të lidhë kontratën e shitblerjes për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, si dhe njofton me shkrim subjektin e interesuar ose personin e stimuluar, se i plotëson kushtet e parashikuara në ligj. Modeli i kontratës së shitblerjes miratohet nga ministri përgjegjës.
3. Kontrata e shitblerjes lidhet pasi bëhet pagesa e plotë e çmimit të truallit të njësisë së ndërtimit. Mënyra dhe afatet e pagimit të çmimit të truallit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Kontrata e lidhur, sipas këtij ligji, regjistrohet në ZRPP.
5. Kalimi i së drejtës së pronësisë së truallit, sipas kësaj procedure nuk tatohet, sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi për tatimin mbi të ardhurat.
Neni 15
Çmimi i truallit reduktohet: a) në masën 10 %, nëse paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim, sipas nenit 10 të ligjit; b) në masën 20%, nëse paguhet brenda 1 muaji nga data e njoftimit me shkrim, sipas nenit 10 të këtij ligji.
Pas këtij transferimi, Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e vendimit vjetor për rregullat e kriteret për trajtimin e vendimeve të kompensimit financiar, bazohet dhe në parimin e kompensimit financiar më të parë të subjekteve të shpronësuara, të prekura nga zbatimi i këtij ligji.