Raporti i BE: Korrupsion në Ballkan
Zbulohen pjesë nga progres-raporti i Komisionit Evropian që do të publikohet në 14 tetor. Agjencia “Reuters” bën të ditur se vendet e Ballkanit Perëndimor, si Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova janë duke bërë progres të pabarabartë, por shton se Serbia është më mirë në këtë drejtim. “Serbia ka aftësi të fortë administrative të shkojë përpara me reformat”, citohet agjencia “Reuters”. Ndërkohë, sipas draftit të publikuar bëhet e ditur se, “korrupsioni është i përhapur në rajon. Ai ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve dhe mjedisin e biznesit”. Megjithatë agjencia e lajmeve nuk specifikon se për cilin vend bëhet fjalë konkretisht. Ndërkohë në Bruksel është shtyrë sërish shqyrtimi i kandidaturës së Shqipërisë nga diplomatët e Bashkimit Evropian. Megjithëse presidenca suedeze e kishte përfshirë në axhendën e diskutimeve të komitetit të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare, shqyrtimi i aplikimit është hequr nga axhenda, për shkak se Gjermania ka kërkuar më shumë kohë. Sipas burimeve konfidenciale të “Top Channel”, duke iu referuar një ligji të ri të imponuar nga Gjykata Kushtetuese si kusht për ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, diplomatët gjermanë kanë shpjeguar në takim se ende nuk janë të qartë nëse duhet respektuar Bundestagu përpara se të shprehet qëndrimi për aplikimin e Shqipërisë. Diplomatët gjermanë kanë kërkuar më parë që të merret mendimi i Parlamentit gjerman (Bundestagut) përpara se institucionet e BE-së të përfshihen në diskutime për çështjen e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim. Në një rast të tillë, shqyrtimi i kandidaturës do të shtyhej për më shumë se një muaj, pasi mbledhja e parë e Dhomës së Ulët të Parlamentit gjerman është në fund të tetorit. Shqipëria aplikoi për statusin kandidat 6 muaj më parë dhe Komisioni pret dritën jeshile nga Këshilli i BE-së për të nisur përpilimin e opinionit mbi gatishmërinë e vendit për të marrë statusin e shtetit kandidat. Përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, në muajin prill, kryeministri Berisha gjatë vizitës në Pragë të Çekisë i dorëzoi kryeministrit Topalanek kërkesën zyrtare për marrjen e statusit kandidat. Kjo kërkesë më pas iu përcoll presidencës suedeze të BE-së, e cila mban kryesimin deri në fund të këtij viti.