E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, Meta ndjek integrimin dhe vizat

 

Qeveria vendos të ngarkojë zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, të ndjekë proceset e integrimit të vendit në BE dhe liberalizimin e vizave. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave në mbledhjen e fundit, u miratua vendimi për “Ngarkimin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme për ndjekjen e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian”. “Sipas këtij vendimi, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme ngarkohet që të ndjekë me prioritet procesin e integrimit të vendit në Bashkimin e Evropian, si dhe procesin e liberalizimit të vizave”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave. Ndërkohë në një intervistë për BBC në shqip, ministri i Jashtëm, Ilir Meta tha se miratimi pak ditë më parë i Traktatit të Lisbonës në Irlandë i hap rrugën reformës brenda Bashkimit Evropian dhe zgjerimit të Unionit. “‘PO’-ja irlandeze është një rezultat tepër pozitiv, po të kemi parasysh dështimin në të kaluarën, dhe natyrisht që është një premisë për t’i hapur rrugë asaj reforme të rëndësishme të vetë BE-së, që parashikohet me hyrjen në fuqi të traktatit të Lisbonës. Ne besojmë se procesi i zgjerimit do të vijojë, aq më tepër kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, ku BE-ja që në samitin e Selanikut është angazhuar në mënyrë të qartë që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së në të ardhmen”, theksoi Meta. Megjithatë kreu i diplomacisë shqiptare shtoi se integrimi i Shqipërisë në BE ka të bëjë në radhë të parë me reformat që do të ndërmarrë vendi ynë. “Natyrisht që është një proces i dyanshëm, ku në radhë të parë kërkohet vijimësia e reformave nga ana e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të këtij rajoni. Ne besojmë se edhe gatishmëria dhe vullneti politik i BE-së do të tregohet në të ardhmen për të përshpejtuar këtë proces”, tha zv.kryeministri. Meta vlerësoi gjithashtu takimin e mbajtur në Budapest ministrave të vendeve të Evropës Qendrore të njohur si grupimi i Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›