E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laç, mësim në laboratorin e kimisë, helmohen nxënëset

 

LAÇ/ ROLAND NIKOLLI

Helmohen nga kimikatet e laboratorit të kimisë 4 prej nxë-nësve të vitit të parë të shkollës së mesme, “At Shtjefën Gjeçovi” në Laç. Atyre u ka rënë të fikët në orën e pestë të mësimit që po zhvillonin ditën e djeshme. Mbingarkesa në numër nxënësish ka detyruar hapjen e laboratorit për klasa mësimi, por dje shkaktoi helmimin e adoleshentëve. Bëhet fjalë për katër vajza, të cilat janë dërguar me shpejtësi në spitalin e Laçit. Por, pas ndërhyrjes së shpejtë mjekësore kanë kapërcyer gjendjen e rrezikut për jetën e brenda pak orësh janë kthyer në shtëpi.
Sipas drejtoreshës të kësaj shkolle, Marie Syziu, ngjarja ndodhi rreth mesditës, kur nxënëset shfaqën probleme shëndetësore. Siç kanë treguar dhe shokët e tyre, ata kanë pasur vështirësi në frymëmarrjes, temperaturë të menjëhershme e më pas kanë pësuar gjendje të fikëti. Me shpejtësi është vënë alarmi në shkollë, duke bërë transportimin e nxënësve për në spital. Për fat, asnjë tjetër nuk ka pasur shenja të ngjashme, por menjëherë ata janë nxjerrë nga klasa e sajuar në laborator. Dyshohet se prania e kimikateve të ndryshme, në laboratorin e kimisë, ka qenë dhe shkaku i situatës së krijuar. Hetimet kanë nisur dhe nga specialistë të fushës, të cilët do të ekzaminojnë nëse ndonjë kimikat është shpërbërë për shkak të kohës së gjatë ose ndonjë prej shisheve mund të jetë harruar hapur, duke provokuar dhe rëndimin e ajrit me erën e rëndë. “Ne po shikojmë situatën me kujdes, pasi në laborator ka erë. Ne kemi vënë në dijeni edhe Drejtorinë e Higjienës, e cila ka ardhur dhe verifikuar situatën si dhe ka bërë analizat për nxjerrjen e shkaqeve të këtij helmimi. Aktualisht, komplet nxënësit e kësaj klase i kemi futur për të bërë mësim në sallën e mësuesve, pasi nuk kemi asnjë klasë bosh apo kabinet”, shprehet drejtoresha. Ajo pohon se pikërisht mungesa e klasave e detyroi stafin që të hapte si klasë mësimore laboratorin e kimisë. Sipas saj, të gjitha kabinetet, edhe biblioteka e shkollës është e zënë me klasa. Aktualisht në këtë shkollë trekatëshe studiojnë 1,030 nxënës. Kështu nga 26 klasa që është kapaciteti i shkollës, në të janë të vendosura 29 klasa. Prandaj sipas Syziut nevojiten të tjerë ambiente shkollore për këtë qytet, pasi numri i nxënësve që e frekuentojnë ka ardhur gjithnjë në rritje. “Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit kemi një rritje prej 130 nxënësish”. Shkolla e mesme “At Shtjefën Gjeçovi” është e vetmja në qytetin e Laçit, çka ka krijuar dhe mbipopullim të saj vit pas viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›