E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcimi i euros, rriten çmimet e ushqimeve

 

Rriten çmimet e mallrave të shportës. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave, në vend inflacioni në muajin shtator ishte 2 për qind, duke pësuar një rritje prej 0.8 për qind krahasuar me një muaj më parë. Por krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i inflacionit në shtator ka pësuar rënie. Sipas të dhënave nga INSTAT, edhe pse inflacioni në muajin shtator shënoi nivelin prej 2 për qind, pothuajse të gjitha çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm kanë pësuar rritje. Shkak për këtë është forcimi i euros në kursin e këmbimit. Këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, euro ka fituar ndjeshëm pikë ndaj monedhës vendase, dhe kjo si pasojë e mungesës së monedhës evropiane në treg. Një gjë e tillë ishte paralajmëruar kohë më parë nga ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve si pasojë e krizës globale kursi i këmbimit do të kishte luhatje. Por duke qenë se pjesa më e madhe e mallrave për konsum plotësohet nga importi, forcimi i euros ka ndikuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve në treg. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi i grupit “ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 1.7 për qind, me një ndikim prej 0.7 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Edhe çmimet e frutave kanë pësuar rritje, si dhe të të gjitha grupeve të tjera ushqimore. Çmimet janë rritur edhe për veshjet. Po ashtu edhe duhanpirësit gjatë muajit shtator kanë shpenzuar më shumë para, pasi çmimi i duhanit ka pësuar rritje. Sipas INSTAT, rritje kanë pësuar edhe çmimet e karburanteve. Më të ndjeshëm ndaj rritjeve të çmimeve të mallrave të shportës janë familjet buxhetore si dhe pensionistët, të cilët me rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit të përditshëm në treg duhet të shpenzojnë më shumë para nga buxheti i tyre familjar për të blerë mallrat ushqimorë. Por nuk është hera e parë që konsumatorët duhet të përballen me rritje çmimesh. Rritja më e lartë e çmimeve, ku dhe inflacioni e tejkaloi cakun e vendosur nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë ishte ajo e vitit të kaluar, kur e gjithë bota u përball me krizën e ushqimeve në botë.

Rritja e çmimeve

• 1.7 për qind “ushqime dhe pije jo alkoolike”, me një ndikim prej 0.7 për qind në totalin e ndryshimit mujor

• 6.9 për qind zarzavatet

• 5.2 për qind frutat

• 3.1 për qind “sheqer, reçelra, mjaltë etj.”

• 0.5 për qind “qumësht, djathë e vezë”

• 0.3 për qind “Veshje dhe këpucë”

• 0.6 për qind “pije alkoolike dhe duhan”

• 0.2 për qind nafta

• 0.3 për qind benzina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›