Austria: Vizat në 1 janar? Jo realiste
Austria mbështet Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave, por e quan jorealiste të mendohet që qytetarët shqiptarë do të përfitojnë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Këtë e bëri të ditur dje në Tiranë ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger gjatë një konference për shtyp me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. “Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, por ky proces nuk është mbyllur ende. Mendoj se nuk do të ishte realiste që të pritej ky liberalizim vizash për Shqipërinë më 1 janar 2010. Por, ky është një proces që monitorohet shumë ngushtë nga komuniteti evropian dhe sa më shpejt të ecë Shqipëria në standardet që duhet të përmbushë, aq më shpejt do të përfundojë edhe ky proces”, tha Spindelegger. Nga ana e tij kreu i diplomacisë shqiptare ftoi opozitën të vijë në Kuvend, teksa shtoi se “Ju e keni vënë re që klima tentohet në mënyrë të njëanshme të provokohet për t’u tensionuar. Por ju e keni vënë re që qëndrimi i qeverisë është shumë konstruktiv, shumë mirëpritës, në mënyrë që opozita të luajë rolin e saj. Dhe ju e dini shumë mirë që kundër rrugës së bojkotit janë dhe shumë eksponentë dhe përfaqësues të parlamentit të kësaj force politike”. Ministri i Jashtëm austriak u takua dje gjithashtu me Presidentin Topi, kryeparlamentaren Topalli dhe Kryeministrin Berisha.