Berisha: Gati studimi për hekurudhën me Kosovën
Një ditë pas vizitës në Kosovë, kryeministri Sali Berisha i kërkoi ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi të përgatisë studimin për ndërtimin e hekurudhës që lidh Shqipërinë për fqinjin verilindor. Duke folur në mbledhjen e radhës së qeverisë, kryeministri Berisha u shpreh se, “autostrada ka dhënë një frymëmarrje të madhe dhe meqenëse jam në fushën e transportit, zoti ministër i Punëve Publike do të ndërmarrësh menjëherë e do të përzgjedhësh kompaninë e konsulencës për të bërë fizibilitetin për hekurudhën. Hekurudha me Kosovën është lidhja më me interes për portet shqiptare, sepse lidhet me Serbinë dhe ecën drejt Evropës Qendrore”. Sipas tij, nëse ndërtimi i hekurudhës nuk nis këtë mandat, do të jetë projekti i parë i mandatit tjetër. “Nuk mund të them se do fillojë me buxhetin e këtij mandati, pasi projektet e këtyre katër viteve janë të përcaktuara, por le ta kemi gati se në rast se nuk fillohet në këtë mandat, ky të jetë projekti i parë që fillohet në mandatin 2013-2017. E theksoj se hekurudha është jashtëzakonisht e rëndësishme”, theksoi kreu i ekzekutivit.