Deputetë të pozitës dhe opozitës kritikojnë qeveritë për procesin e integrimit
Deputetët të shumicës parlamentare dhe të opozitës diskutuan dje në një tryezë të rrumbullakët për reformat që lidhen me procesin e integrimit europian të vendit. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë tryezë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, u shpreh se ende nuk ka një datë të saktë në të cilën Shqipëria do të bëjë kërkesë për të marrë statusin e vendit kandidat për integrimin në BE. “Integrimi nuk duhet të shihet si një proces datash, me limite të mirëvendosura. Ky proces do të kishte qenë më i shkurtër nëse negociatat nuk do të kishin zgjatur aq sa zgjatën, pra tre vjet. Gjithsesi, sot ne mund të themi me bindje të plotë se ky është një proces i pakthyeshëm. Nëse më parë Shqipëria shihej me skepticizëm nga strukturat e BE-së, sot vlerësimet që mbërrijnë prej andej janë shumë të qarta e pozitive, në kriterin politik, në standardet europiane e sidomos në kriterin ekonomik”, - është shprehur Bregu. Ndërsa deputeti Aleksandër Biberaj fajësoi strukturat e shtetit për dështimin në luftën kundër korrupsionit, i cili, sipas tij, ishte dhe premtimi i PD-së në fushatën e vitit 2005. sipas Biberajt, për korrupsionin duhet të mbajnë përgjegjësi të gjitha strukturat e shtetit që kanë lidhje direkte me luftën kundër tij. Ndërsa deputeti i PS-së, Ben Blushi, u shpreh se fajtore për ngadalësimin e procesit të integrimit janë të gjitha qeveritë. Ai tha se shqiptarët ndihen aktualisht të varfër për shkak të politikave të gabuara qeverisëse dhe Bashkimi Europian nuk mund të pranojë në gjirin e tij qytetarë të varfër. Sabri Godo, nga ana e tij, ka vënë theksin te ligji i pronave. Sipas tij, në Shqipëri nuk do të ketë zhvillim dhe integrim deri në momentin kur toka të shkojë tek i zoti.
11 Korrik 2008