E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI, në fund të vitit 2500 objektet të legalizuara

12/12/2008  Flet drejtori Agron Akshia: Ja zonat që kemi në proces

SHKODER- Deri tani janë me qindra dosje të miratuara nga Qeveria për kalim pronësie, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm janë dërguar ditët e fundit për oponencë dhe vendimmarrje. Këtë e konfirmon kreu i ALUIZNI-t, Agron Akshia, i cili thotë se po hartohen dhe dosjet e pronarëve të vjetër, të cilët do të kompensohen në para për tokën që u është zënë nga ndërtimet pa leje. Paralelisht me materialet e paraqitura në Këshillin e Ministrave për kalimin e pronësisë kjo agjenci ka paraqitur dhe hartën për kompensimin e pronarëve të ligjshëm. Konkretisht në “Baçallek” sipërfaqja që do të kompensohet është 2276 m2 ndërsa në bllokun 1 zona informale Shkodra 2 sipërfaqja për kompensim është 7363 m2 . “Jemi në një fazë që po plotësojmë dokumentacionin e plotë për pajisjen e qytetarëve me dokumentin e pronësisë, dhënien e lejes së legalizimit më pas dokumentin e pronësisë dokument që e jep zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kemi paraqitur për oponencë në Këshillin e Ministrave bllokun kadastral 12 ose i quajtur lagja “Mark Lula” me një numër prej 242 objektesh. Kemi paraqitur njëkohësisht hartën për kompensim, pasi shkojnë paralelisht për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore. Njëkohësisht kemi dhe bllokun kadastral 10 të zonës kadastrale 85 / 91 Shkodër me 80 objekte në një sipërfaqe prej 1068 m2. Po punojmë intensivisht për paraqitjen e dokumentacionit për kalim pronësie dhe kompensim dhe po punojmë dhe në zonat e tjera”, sqaron shefi i ALUIZNI-t Shkodër, Agron Akshia. Normativa e realizimit është 1200 objekte deri në fund të vitit, por objektivi i ALUIZNI-t Shkodër është 2500 objekte, ndërkohë që në qytet janë gjithsej 6200 objekte, ndërtime të paligjshme.

Kompensimet

Baçallëk 2276 m2

Blloku 1 zona informale Shkodra 2 7363 m2 .

Paraqitur për oponencë në KM

Lagja “Mark Lula” 242 objekte

Blloku kadastral 10 80 objekte

Normativa e realizimit 1200 objekte

Objektivi 2500 objekte

Ndërtime të paligjshme 6200 objekte

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›