E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Nuk dija asgjë rreth borxhit të vëllait tim"

12/12/2008  Flet vëllai i autorit të vrasjes, Përparim Rraboshta

SHKODER- “Dua të shpreh ngushëllimin tim dhe të familjes sime për familjen Bitani për nënën, babën, gruan, fëmijët, Encon dhe Esterin, vëllezërit dhe të gjithë të afërmit e tij, për humbjen e mikut dhe shokut tim të ngushtë, i cili më është gjendur pranë në momentet më të vështira të jetës ime, atëherë kur katër maska të zeza terrorizuan gruan dhe fëmijët e mi për 2 orë në shtëpinë time në Barbullush.

Po jap këtë deklarim nën lotët që nuk më janë reshtur. Lidhja ime me familjen e Arbenit u shtua më shumë pas asaj ngjarjeje të zezë të vitit 2006, kur familja ime u terrorizua. Unë dhe Arbeni kemi pasur një miqësi të sinqertë dhe lidhje familjare. Kemi drekuar me familjet tona dhe të gjitha herët ishte Arbeni që donte të paguante. Kështu ndodhi dhe në Ishull të Lezhës, ku drekuam familjarisht për herë të fundit. Kemi qenë unë me gruan dhe fëmijët, Arbeni me nënën e tij, gruan dhe fëmijët. Miqësia jonë erdhi duke u forcuar. Dëshmitarë të kësaj miqësie janë albumet fotografike, pushimet në plazh, të cilat i kemi bërë dy familjet bashkë, miqësia e fëmijëve tanë, respekti që Arbeni u ka dhënë miqve të mi. Marrëdhëniet e punës mes meje dhe Arbenit kanë qenë të një korrektësie të jashtëzakonshme. Pothuajse çdo ditë pinim kafe bashkë. Bashkë me Arbenin kemi ëndërruar për një të ardhme, ëndërr të cilën na e shkatërroi vëllai im. Jetoj me brengën se nuk munda ta ndaloj këtë tragjedi. Me vrasjen e tij u vra edhe një pjesë e bukur e jetës sime. Unë humba krahun e djathtë, shokun dhe mikun tim. Nuk kam arritur të kuptoj, të marrë vesh për asnjë moment lidhjen që kishte im vëlla me Arbenin. Nuk ka pasur asnjë dijeni për lidhjen e tyre dhe për faktin se mes tyre kishte një problem të tillë. Jam gati të betohem në Kishë apo dhe në Xhami se vëllai im për asnjë moment nuk më ka vënë në dijeni të borxhit, nuk më ka thënë që i ka marrë para borxh Arbenit. Po ta dija një fakt të tillë, asgjë nuk do të ndodhte, Arbeni do të jetonte dhe miqësia mes familjeve tona do të vazhdonte. Sigurisht që do të kisha bërë pagesën e borxhit dhe çdo gjë do të ishte zgjidhur. Mora shkas nga disa artikuj dizinformues, keqdashës, për të hedhur dritë mbi marrëdhëniet e të ndjerit Arben me pozicionin tim. Për sa i përket shumës së parave që vëllai im i kishte borxh Arbenit, nuk e vë në dyshim, është një fakt i besueshëm dhe nga akti noterial që e kam lexuar pas vdekjes së Arbenit”, shprehet Përparim Rraboshta.

Hetimet nxjerrin se autori i kishte borxh viktimës një shumë rreth 10 milionë lekë

“Arrest me burg” Rraboshtës, vrau biznesmenin

SHKODER- Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër ka marrë dje masën e sigurisë ndaj të pandehurit Afrim Rraboshta, 37 vjeç, i cili akuzohet për vrasjen me dashje të shtetasit Arben Bitani, ngjarje kjo e ndodhur në fshatin Barbullush natën e së hënës që kaloi. Ndërkohë i pandehuri akuzohet dhe për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”. Ndërkohë seanca paraprake e marrjes së masës së sigurisë u drejtua nga gjykatësja Izabela Radovani, e cila kërkoi të dëgjonte akuzat e bazuara në prova të prokurorit të çështjes Vatë Stakaj. Akuza kërkoi vlerësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” nisur nga rrezikshmëria e veprës penale dhe rrethanave të tyre. Ndërkohë i pandehur Rraboshta u mbrojt nga avokat Ilir Golemi i caktuar kryesisht nga gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër. Ky i fundit i ka kërkuar trupit gjykues vlerësim të paligjshëm të arrestit në flagrancë nisur nga fakti se 37-vjeçari Rraboshta pretendonte se i ishte dorëzuar vetë forcave të policisë. Ndërkohë mbrojtja ka lënë në vlerësim të gjykatës vlerësimin e masës së sigurisë. Por ndërkohë trupi gjykues pasi u njoh me provat paraprake ka vendosur për dhënien e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj të akuzuarit Afrim Rraboshta si dhe vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë për veprën penale të “vrasjes me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Vrasja

Sipas burimeve policore, hetimet më të fundit kanë nxjerrë se shtetasi Afrim Rraboshta ka kryer vrasjen e biznesmenit Arben Bitani në fshatin Barbullush të Shkodrës pas një konflikti për probleme parash. Fillimisht nga hetimet nxorën se viktima Bitani i kishte një shumë prej 5 milionë lekësh të vjetra autorit Rraboshta, por hetimet e fundit kanë nxjerrë se shtetasi Rraboshta i kishte marrë një borxh shtetasit Bitani, me vlerë prej 50 mijë eurosh, 30 mijë dollarë dhe 500 mijë lekë. Kjo shumë vertetohet në bazë të një akti noterial, të mbajtur më 8 tetor të këtij viti pranë noterit Klement Radovani. Akti noterial mban edhe firmën e autorit të vrasjes shtetasit Rraboshta. Ky akt noterial, do t’i kalohet dhe prokurorisë në seancën e gjykimit të shtetasit Rraboshta. Burimet policore shprehen se këtë shumë shtetasi Rraboshta kishte për t’ia kthyer viktimës Bitani që në fillim të muajit nëntor të këtij viti. Moskthimi i kësaj shume jo të vogël parash ishte bërë shkak i debatit të rëndë mes shtetasit Rraboshta dhe viktimës Bitani që përfundoi me vrasjen e këtij të fundit me dy plumba në kokë brenda mjetit të tij luksoz tip Mercedes Benz. Oficerët e Policisë Gjyqësore po vazhdojnë hetimet të tjera për të zbardhur plotësisht dhe saktësisht shkaqet e kësaj vrasjeje.

Vrau fqinjin

“Arrest me burg” dhe Abdullah Durrën

Po dje gjykata e Shkodrës ka marrë në shqyrtim dhe çështjen e shtetasit Abdullah Durra, vjeç 50, banues në lagjen “Liria”, i cili pak ditë më parë kreu vrasjen e fqinjit të tij Agim Tahiri, pasi ky i fundit kishte shtruar rrugën me zhavorr për të mbyllur gropat me ujë. I pandehuri Durra akuzohet për vrasjen me dashje të shtetasit Agim Tahiri mëngjesin e së martës në lagjen “Liria” në hyrje të qytetit të Shkodrës. Prokuror i çështjes ishte Granit Shahu, i cili kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për të akuzuarin Abdullah Durra. Ky i fundit ka qenë dhe një herë i dënuar për të njëjtën vepër penale, atë të vrasjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›