E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasen me makinë, 33-vjeçari qëllon me pistoletë

12/12/2008  Në kërkim për kanosje të jetës dhe armëmbajtje pa leje

POGRADEC- Pas përplasjes së dy autoveturave drejtuesit e automjeteve kanë dalë nga mjetet dhe kanë nisur sherrin mes tyre për të gjetur se kush e kishte fajin, por ndërsa sherri është agravuar gjithnjë e më tepër, njëri prej tyre ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në ajër për të kërcënuar shtetasin tjetër. Pas kësaj duket se sherri ka marrë fund, ku autori i përdorimit të pistoletës ka lënë vendin e ngjarjes për të mos rënë në duart e policisë. Megjithatë, ky i fundit tashmë është i shpallur në kërkim nga komisariati i policisë Pogradec për veprën penale të “Kanosjes serioze për vrasje” dhe “Armëmbajtje pa leje”, parashikuar nga nenet 84 dhe 278/2 të K. Penal. Mësohet gjithashtu se ngjarja në fjalë ka ndodhur në qytetin e Pogradecit, mes A. Ç, 33 vjeç, lindur dhe banues në një fshat të Pogradecit dhe L. I., 33 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr. 3 të qytetit Pogradec. Sipas policisë, shtetasi i shpallur në kërkim dhe që ka qëlluar me armë është A. Ç. Të njëjtat burime pohuan se ngjarja ka zanafillën dy ditë më parë, por pas hetimeve të kryera, së fundi është bërë e mundur zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje. Burimet policore saktësuan se ngjarja ka zënë fill në dt. 09.12.2008 rreth orës 23.30 te vendi i quajtur rruga “Cene Mane” në lagjen nr 3 të këtij qyteti. Pikërisht në këtë kohë, A. Ç. kishte qenë duke udhëtuar me mjetin e tij BMW, ndërsa është përplasur me mjetin tip “Ford Eskord” me të cilën po udhëtonte shtetasi L. I. Nga kjo përplasje shtetasi A. Ç. ishte konfliktuar me shtetasin L. I. dhe me pas ka gjuajtur në ajër me një armë pistoletë tip “TT” duke u larguar me shpejtësi më pas nga vendngjarja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›