E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon shembja e pallatit në Durrës, punimet rrezikojnë banorët

Tenderi për prishjen e kateve pa leje të pallatit shumëkatësh që krijoi përplasje mes pushtetit qendror dhe atij vendor në Durrës ka dështuar, në kohën kur pritej të nisnin punimet. Pas realizimit të tenderit me 23 qershor në bashkinë e Durrësit, shoqëria

fituese u tërhoq duke deklaruar zyrtarisht vështirësi në kryerjen e prishjes me vlerën e ofertës së dhënë prej vetë asaj. Në bashkinë e Durrësit thonë se tërheqja e firmës duhet të jetë pasojë e presioneve, ndërsa fituesja e tenderit që paraqiti vlerën e 8.025 milion lekëve të reja për prishjen e kateve pa leje të godinës 22 katëshe e argumentoi tërheqjen me pamundësinë për të realizuar objektin e prokuruar në këtë vlerë. Fondi limit i bashkisë në këtë tender ishte 10 milion e 992 mijë lekë me një afat 4 mujor punimesh, ndërkohë që tashmë duhet më shumë se një muaj për të proceduar me veprimet e mëtejshme që do të çojnë në hapjen e një tenderi të ri, ndërsa firma e tërhequr do të ketë penalizmin e saj financiar. Dhjetorin e kaluar Këshilli Bashkiak miratoi me dyer të mbyllura fondin 13,2 milion lekë për prishjen e kateve të sipërme, prishje që përpos rezistencës së pronarit të objektit ndesh dhe në vështirësinë e të punuarit në lartësi të mëdha dhe në një objekt të banueshëm në katet e mëposhtme. Prania e një pike karburanti në pjesën e poshtme të pallatit, si dhe fakti që pallati ndodhet në një nga daljet e portit detar të Durrësit dhe në një kryqëzim rrugësh e bëjnë objektin edhe më të vështirë. Dhënia pa kriter e lejeve të ndërtimit tenton të krijojë vatra të tjera ndotjeje të ujërave të Adriatikut, ndërsa sezoni turistik ka rreth dy muaj që ka filluar. Gjendja paraqitet më alarmante në komunën e Katundit të Ri dhe Ishmit, ku gjatë vitit të kaluar, janë dhënë leje ndërtimi për shumë subjekte pa një studim paraprak. Lejet janë dhënë për ndërtime në zonën bregdetare të fshatit Rinia dhe Gjirit të Lalzit, ku mungon dhe infrastruktura inxhinierike. Në këtë pjesë të bukur të bregdetit të Durrësit mungon rrjeti i kanalizimeve të ujërave të përdorura, përfshirë ujërat e zeza, rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm dhe energjia elektrike. Ndërtimet e reja, në mungesë të kësaj infrastrukture kthehen në ndotëse të ujërave të Adriatikut dhe në këtë pjesë të tij, që deri më sot është shfrytëzuar për virgjërinë e natyrës dhe ujin e pastër. Inspektorati Sanitar Shtetëror në Durrës ka filluar tashmë punën dhe ka lënë detyra e ka ushtruar akt-kontrolle për përmirësimin e situatës, si dhe ka vënë në dijeni për të Ministrinë e Shëndetësisë, Prefekturën dhe Këshillin e Qarkut Durrës. Edhe pas ndërhyrjeve më të fundit ku dhjetëra ndërtesa pa leje janë prishur nga inspektorati ndërtimor i Durrësit ndërtimet vijojnë, pasi subjektet janë të siguruara nga leja që kanë marrë pranë këshillave të rregullimit të territorit në komunat përkatëse.

Last Updated on E Premte, 09 Korrik 2010 19:09

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›