ALUIZNI u merr kompetenca vendorëve
Mazhoranca dhe opozita nuk e gjejnë sërish gjuhën e përbashkët për miratimin e ligjit për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje. Komisioni i Ligjeve miratoi dje vetëm me votat e mazhorancës një ndryshim në këtë ligj të kërkuar nga një grup prej gjashtë deputetësh të Partisë Demokratike. Sipas mazhorancës, nëpërmjet ndryshimit të bërë në këtë ligj, synohet rregullimi i një boshllëku ligjor të krijuar nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese. Ky institucion, në vendimin e publikuar më datë 2 shkurt 2008, shfuqizoi si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe me Kartën Evropiane të Autonomisë Lokale, disa nene të ligjit për legalizimin dhe urbanizimin e ndërtimeve pa leje. Nëpërmjet këtij ndryshimi, qeveria përcakton që t‘i marrë kompetencat pushtetit vendor, duke ia kaluar ato ALUIZNI-t. Konkretisht, në nenin 10 të këtij drafti, i cili tashmë është miratuar vetëm me votat e mazhorancës dhe i kalon Kuvendit për miratim, thuhet se "në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e urbanistikës apo këshillat e qarkut, nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI merr përsipër ushtrimin e tyre. Afatet, mënyra dhe koha e ushtrimit të këtyre përgjegjësive përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave". Ky formulim u kundërshtua ashpër nga deputetët e opozitës, të cilët i kujtuan mazhorancës se propozimi i tyre bie ndesh me Kushtetutën. Këtë nen të ligjit, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Dervishi, e ka rrëzuar një herë Gjykata Kushtetuese dhe tani disa deputetë të PD-së po e sjellin sërish, por të formuluar me fjalë të tjera. Të gjithë e dinë tashmë, insistoi ai, se propozimi i ri cenon kompetencat e pushtetit vendor, duke ia kaluar ato pa të drejtë ALUIZNI-t. Këtë herë, duket se socialistët nuk do ta dërgojnë sërish ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Deputeti Dervishi vlerësoi se "do të ishte kohë e humbur të çohej në Gjykatën Kushtetuese, megjithatë ne mund ta çojmë, por problemi nuk qëndron në dërgimin e tij në këtë instancë apo jo, problemi qëndron në atë që kjo mazhorancë po operon me shpejtësi për të mbyllur në mënyrë politike një premtim tjetër të dështuar të kësaj mazhorance, siç ishte premtimi për procesin e legalizimeve". Sepse, sqaron më tej deputeti i PS-së, koha që do t‘i duhet Gjykatës Kushtetuese për ta rishqyrtuar do të bëjë që deri në datën e zgjedhjeve, mazhoranca do të mbyllë ato premtime mashtruese për procesin e legalizimeve, por që në fund nuk do të sjellë asnjë titull ligjor. Kundër këtij ndryshimi në ligjin për legalizimin dhe urbanizimin e ndërtimeve pa leje është shprehur edhe deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi. Sipas tij, "nuk mund të zgjidhen çështjet në këtë mënyrë. Nuk mund t‘i merren kompetencat një institucioni për t‘ia dhënë një institucioni tjetër se nuk kryen dot detyrën, sepse kështu do të krijohen pështjellime ligjore". Sipas Peçit, por edhe deputetëve të opozitës, nëse një institucion nuk kryen siç duhet detyrat e ngarkuara me ligj për këtë ka përgjegjësi individuale dhe ndaj tyre le të merren masa qoftë edhe me largime nga puna. Edhe deputetët e Partisë Republikane dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë shprehur qëndrimet e tyre në këtë diskutim. Në përfundim, LSI preferoi të abstenojë ndërsa deputetët republikanë votuan pro.