E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet kontrabandisti që shtirej si oficer policie

Arrestohet një kontrabandisti i maskuar si polic i krimit ekonomik dhe doganieri i turnit në Kakavijë. Pas një operacioni të agjentëve të luftës kundër krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, është bërë e mundur kapja në flagrancë e tregtarit Pëllumb Kaziu, 37 vjeç nga Tirana. Mësohet se Kaziu maskohej si polic i krimit ekonomik dhe transportonte televizorë plazma nga Greqia nëpërmjet doganës së Kakavijës. Në momentin e arrestimit ai kishte në automjetin e tij fuoristrada tip "Mitsubishi", me targë TR3737P, një sasi malli prej 16 televizorë me ekran të sheshtë.

Në momentin e ndalimit ky shtetas është prezantuar tek patrulla e policisë si oficer i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Gjatë kontrollit të automjetit të tij policët sekuestruan një fenelinë blu, të cilën e mbante të ndezur mbi kabinë, si dhe një tabelë dore të policisë rrugore. Burime nga policia thanë për "Shqip" se automjeti me xhama të zinj qarkullonte shpesh në këtë aks rrugor dhe se dispononte një leje përdorimi të këtyre shenjave. Mësohet se leja është lëshuar nga zyra e shërbimit të qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe tashmë ajo është sekuestruar nga policia e Gjirokastrës në cilësinë e provës materiale. Po dje, është bërë edhe ndalimi në Kakavijë dhe më pas shoqërimi e arrestimi i 43- vjeçarit Agron Basha, me detyrë doganier në degën e doganës Kakavijë. Mësohet se Basha ka qenë në turn në pozicionin e kontrollit fizik, në momentin e kalimit të mallrave kontrabandë nga Greqia për në Shqipëri.

Burime të policisë nënvizuan se nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se doganieri i kontrollit fizik, Agron Basha, nuk është kryer asnjë praktikë për zhdoganimin e mallit që ndodhej në automjetin tip "Mitsubishi", në pronësi dhe drejtim të shtetasit Pëllumb Kaziu. Mësohet se i arrestuari ka pranuar se televizorët i kishte blerë në Greqi dhe do t‘i tregtonte në Shqipëri. Kaziu ka qenë i dënuar më parë për vjedhje me armë, pasi në vitin 1995 ka vjedhur një makinë dhe është dënuar 5 vjet burg. Bllokimi i automjetit dhe mallrave kontrabandë është bërë në afërsi të Urës së Subashit. Ndërkohë policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur se pas hetimeve paraprake të bëra nga ana e saj dosjet për të dy të arrestuarit i kanë kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për hetime të mëtejshme me akuzat e kryerjes se veprave penale të kontrabandës me mallra të tjera, përvetësimit të titujve apo i detyrës shtetërore, dhe shpërdorim detyre.

Kontrollet

Rrugorët, operacion

kundër policëve të rremë

Policia e Tiranë ka filluar një aksion në drejtim të evidentimit, kontrollit dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve, të cilët në kundërshtim me kërkesat e Kodit Rrugor, qarkullojnë duke përdorur sinjalistikën dhe simbole të Policisë së Shtetit. Burimet zyrtare thanë se për këtë qëllim, strukturat e policisë rrugore në bashkëpunim me shërbimet e Rendit, kanë vendosur të organizojnë kontrolle të vazhdueshme për ndjekjen dhe realizimin e detyrave të përcaktuara, duke ndëshkuar ato drejtues mjetesh në pronësi të qytetarëve apo administratës shtetërore, të cilët qarkullojnë në kundërshtim me legjislacionin rrugor, të pajisur me simbole të policisë si: sisteme të sinjalizimit pamor që janë fenelina dhe sirena, duke i mbajtur në vende të dukshme tabela dore apo autorizime në kundërshtim me ligjin. "Në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore dhe të parandalimit të veprimtarisë kriminale kërkohet, respektimi dhe zbatimi i kërkesave të legjislacionit rrugor, për të mos mbajtur në përdorim, mjete me xhama të riveshura apo të errësuara" paralajmëron policia. Aktualisht, nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë në bashkëpunim me shërbimet e Rendit, janë ngritur pika kontrolli në Tiranë dhe Kavajë në qytet dhe në linja, ku janë konstatuar 90 drejtues automjetesh, kryesisht drejtues të policive private, të cilët në kundërshtim me Kodin Rrugor qarkullojnë me fenelina, xhama të riveshur apo tabela dore policie. Policia tha se ndaj drejtuesve të mjeteve të cilët qarkullojnë duke përdorur sinjalistikën e Policisë së Shtetit, do të vendoset gjobë, e cila varion nga 2000-5000 lekë, deri në pezullim të lejes së drejtimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›