Një shqiptaro-franceze akuzon policët për dhunë
Një 26-vjeçare nga lagjja "Dunavat" e Gjirokastrës, emigrante në Francë, pretendon se është e dhunuar nga policët rrugorë, madje edhe seksualisht. Marjola Bonnet (Karagjozi), me shtetësi shqiptare dhe franceze, ka kërkuar dje ndihmën e mediave lokale në Gjirokastër, për të denoncuar publikisht për dhunë verbale, fizike dhe seksuale tre punonjës të policisë rrugore të Gjirokastrës, përfshirë edhe kreun e kësaj policie. Vajza 26 vjeçe, e cila jeton në Francë, thotë se është ndaluar më 23 shkurt nga një polic rrugor teksa lëvizte me makinën e saj në qytet, ku kishte ardhur për të takuar prindërit. Ajo thotë se polici, pa asnjë shkak, ka kërkuar ndihmën e grupit të gatshëm dhe vajza, bashkë me një shoqen e saj, janë shoqëruar me gjithë makinë në komisariat. Atje ajo pretendon se është sharë me fjalë të rënda nga policët, është goditur, madje njëri prej policëve e ka ngacmuar seksualisht. Mariola Bonnet thotë se dy ditë pas kësaj ngjarjeje ka bërë denoncim në prokurori për dhunën, por nga ana e oficerit të policisë gjyqësore i është bërë presion për të tërhequr padinë. Dy ditë më parë ajo është shoqëruar përsëri në komisariat dhe thotë se ky shoqërim ka qenë pa shkak dhe ka pasur për qëllim ushtrimin e presionit ndaj saj. Por, policia e Gjirokastrës ka një version krejt tjetër të ngjarjes. Zëdhënësi Gentian Mullai tha dje se Eriola Bonnet është ndaluar sepse qarkullonte me shpejtësi nëpër qytet dhe është shoqëruar në komisariat sepse nuk ka pranuar të tregojë dokumentet. Herën e dytë ajo është ndaluar sepse është kapur duke ngarë makinën, edhe pse leja e drejtimit i ishte pezulluar. Sipas zëdhënësit Mullaj, sjellja e policëve ka qenë korrekte.