E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI, verifikim ndërtesave të reja, me dhe pa leje, në të gjithë vendin

U hiqet kompetenca zyrave të urbanistikës, procesi do të kalojë në sitën e specialistëve të legalizimit. Objektet do të ndahen në dy grupe; për legalizim dhe ato që përjashtohen nga ky proces

Laureta Rryçi

Tiranë - Në muajin gusht pritet të nisë në të gjithë vendin fushata e verifikimit të objekteve të reja që janë ndërtuar vitet e fundit. Këshilli i Ministrave ka vendosur që këtë proces ta realizojnë specialistët të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Kështu, pritet të kalojnë në sitë jo vetëm të gjitha ndërtesat e reja, por edhe shtesat në ndërtime që janë bërë po kohët e fundit. Këtë përgjegjësi më parë e kishin zyrat e urbanistikës në komuna e bashki. Sipas vendimit më të fundit të qeverisë, për verifikim do të kalojnë të gjitha objektet e reja, pavarësisht se mund të jenë me leje. Në momentin që objektet do të jenë me leje, atëherë mund të vazhdohen punimet në to, në të kundërt pritet jo vetëm pezullimi i punimeve, por deri në një masë më drastike, në atë të prishjes së objektit. Ky urdhër i ri është i vlefshëm për të gjitha zonat e Shqipërisë dhe do t’i ndajë objektet e reja në dy grupe; për legalizim dhe ato që do të përjashtohen nga ky proces. Fenomeni i ndërtimeve pa leje ka vazhduar deri në ditët e sotme, pavarësisht se nuk mundën të përfitonin nga ligji për legalizimet. Ky problem më i dukshëm është në qytetet e mëdha, por nuk është shumë i vogël edhe në qytezat apo fshatrat e vendit.
Vendimi
Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) do të kryejë procedurat e evidentimit në terren, do të përgatisë raportin e gjendjes faktike dhe do të shqyrtojë e të kualifikojë ndërtimet informale në të gjitha qarqet e vendit, për shkak të mosushtrimit nga organet e njësive të qeverisjes vendore të përgjegjësive të parashikuara në Nenin 10, të Ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Vendimi i qeverisë ka përcaktuar gjithashtu se ALUIZNI, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të kryejë evidentimin në terren të objekteve informale/objekteve me leje, me shtesë informale në objekt, si dhe të bëjë përditësimin e të dhënave të gjendjes ndërtimore dhe të hartojë procesverbalin e konstatimit. Kjo periudhë për nisjen e verifikimit përkon me ditët e para të muajit gusht, duke qenë se vendimi është marrë në ditët e para të muajit maj. Specialistët e ALUIZNI-t do të kenë me vete dy procesverbale të ndryshme. Këto procesverbale do të mbudhen me të dhënat që do të kenë objektet që do të verifikojë specialisti. Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar të dhënat e përftuara nga përditësimi dhe në përputhje me kriteret ligjore të miratuara për shqyrtimin dhe kualifikimin e objekteve informale/objekteve me leje, me shtesë informale në objekt, që legalizohen ose jo, do të ndjekë një procedurë të re.
Procedura
Specialisti fillimisht duhet të përgatisë hartën në shkallën 1:1000 deri në 1:5000 për zonën kadastrale apo bllokun kadastral ku ndodhen objektet informate ose objektet me leje, me shtesë informale në objekt. Në këtë hartë duhet të pasqyrohen:
sistemi rrugor i nivelit kombëtar e rajonal, ekzistues, i miratuar ose në proces miratimi; infrastruktura inxhinierike;
territoret që kanë mbrojtje të veçantë ligjore; situata e pronësisë mbi tokën; studimet urbanistike që parashikojnë ndërtime mbi 5 kate mbi troje private, brenda vijës kufizuese të ndërtimit, të miratuara deri në datën e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
Vetëm pasi ka kryer këto veprime, specialisti i ALUIZNI-t do të përfshijë objektin në bazë të gjendjes së pasqyruar në hartë, aktin e kualifikimit, në njërin nga procesverbalet, duke i kualifikuar këto objekte: për legalizim ose të përjashtuar nga legalizimi.

Vendimi i plotë i qeverisë

Përcaktimi i afateve, i mënyrës dhe i kohës së ushtrimit nga ALUIZNI i përgjegjësive të zyrave të urbanistikës dhe këshillave të qarqeve gjatë procedurave të legalizimit të objekteve informate.

1. ALUIZNI do të kryejë procedurat e evidentimit në terren, do të përgatisë raportin e gjendjes faktike dhe do të shqyrtojë e do të kualifikojë ndërtimet informale në të gjitha qarqet e vendit, për shkak të mosushtrimit nga organet e njësive të qeverisjes vendore të përgjegjësive të parashikuara në Nenin 10, të Ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

2. ALUIZNI, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të kryejë evidentimin në terren të objekteve informale/objekteve me leje, me shtesë informale në objekt, si dhe të bëjë përditësimin e të dhënave të gjendjes ndërtimore dhe të hartojë procesverbalin e konstatimit, të tipit A ose A1, sipas modeleve që i bashkëlidhen këtij vendimi.

3. Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar të dhënat e përftuara nga përditësimi dhe në përputhje me kriteret ligjore të miratuara për shqyrtimin dhe kualifikimin e objekteve informale/objekteve me leje, me shtesë informale në objekt, që legalizohen ose jo, vepron, si më poshtë vijon:

3.1. Përgatit hartën në shkallën 1:1000 deri në 1:5000 për zonën kadastrale/bllokun kadastral ku ndodhen objektet informale/objektet me leje, me shtesë informale në objekt, ku të pasqyrohen:
a) sistemi rrugor i nivelit kombëtar e rajonal, ekzistues, i miratuar ose në proces miratimi;
b) infrastruktura inxhinierike;
c) territoret që kanë mbrojtje të veçantë ligjore;
ç) situata e pronësisë mbi tokën;
d) studimet urbanistike që parashikojnë ndërtime mbi 5 kate mbi troje private, brenda vijës kufizuese të ndërtimit, të miratuara deri në datën e hyrjes në fuqi të Ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

3.2. Plotëson, në bazë të gjendjes së pasqyruar në hartë, aktin e kualifikimit, të tipit A ose A1, sipas modeleve, që i bashkëlidhen këtij vendimi, duke i kualifikuar këto objekte:
a) për legalizim;
b) të përjashtuar nga legalizimi.

4. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›