E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat portugeze: “Jemi me shpatulla pas murit”



“Portugalia e vendosur me shpatulla për muri. Vetëm një mrekulli mund ta çojë Kristiano Ronaldon, Dekon dhe kompani në Botërorin e Afrikën e Jugut”. Kështu e konsideron gjendjen në të cilën ndodhet formacioni i Karlos Kueiroz, media portugeze. Edhe Federata Portugeze e Futbollit e pranon se sfida kundër Shqipërisë është ndoshta më e rëndësishmja nga pesë takimet e mbetura, pasi një dështim në Tiranë, qoftë ky edhe një barazim, sipas saj do të hidhte në erë shpresat e luzitanëve, të cilët në takimin me kuqezinjtë tanë tetë muaj më parë nuk shkuan më shumë se një rezultat 0-0. Ronaldo ka përsëritur të njëjtat gjëra edhe për gazetën spanjolle “As”: “Ne jemi ekipi më i mirë i grupit. Kemi lojtarë të mëdhenj dhe nuk duhet të nisemi (drejt Tiranës) nën një presion të madh. E dimë shumë qartë se çfarë na pret, nëse nuk fitojmë”. Kapiteni i Portugalisë, Kristiano Ronaldo, kreu mëngjesin e së martës një stërvitje të diferencuar. Sipas mediave portugeze, ylli i Mançesterit, kreu vetëm ushtrime fizike me karakter rehabilitues, të cilat ishin planifikuar qysh më parë, nga fizioterapisti Antonio Gaspar. Për momentin, trajneri Karlos Kuerioz ka 17 lojtarë në dispozicion në fushë, pasi përveç Kristiano Ronaldos, munguan edhe Rolando, Bruno Alvesh, Raul Meireles, Gonçalo Brandao e Eliseu, të cilët kryen ushtrime gjimnastikore në hotel. Simao, i cili është me Atletikon e Madridit në Finlandë, do të bashkohet me grupin ditën e mërkurë. Portugalia do të zhvillojë të mërkurën stërvitjen e fundit, përpara se të niset për në Shqipëri, ku do të luajë të shtunën një ndeshje shumë të rëndësishme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut”.

NANI
Sulmuesi i Mançester Junaitid dhe i Portugalisë, Nani, shprehu keqardhjen e tij në lidhje me golat e munguar të përfaqësueses së tij në këto eliminatore. “Kemi pasur shumë shanse, por fat të keq na ka munguar ajo goditja e fundit, ajo që çon topin në rrjetë. Të humbasësh kaq shumë raste, normalisht që është shtresuese. Tani na duhet të shënojmë shumë gola. Por, jemi të qetë dhe ambienti është shumë i mirë”, - theksoi Nani, që shton se edhe renditja në klasifikim është për shkak të pafatësisë së mos shënimit të golave.

Bruno Alvezh: “Fitorja është detyrë shtëpie”

Mbrojtësi Bruno Alvezh e shikon si një detyrim kualifikimin e Portugalisë në Kupën e Botës 2010, që sipas portugezit, duhet të fillojë me një fitore së pari ndaj Shqipërisë. “Duhet të fitojmë patjetër. Besoj te puna që kemi bërë deri tani. Jemi të bashkuar dhe e dimë se detyra jonë e parë e madhe është të fitojmë ndeshjen kundër Shqipërisë”, - tha për mediat portugeze, mbrojtësi i fuqishëm i Portos. Brunoz Alvezh pranoi se “presioni përpara një ndeshje ndërkombëtare është gjithmonë i pranishëm”, por portugezi refuzoi ta konsideronte se ata mund të ishin të përjashtuar nga pjesëmarrja në Botëror. “Unë mendoj se do të jemi atje. E gjithë përfaqësuesja e ka këtë ndjenjë, ne do të bëjmë gjithçka për të qene atje të pranishëm. Kemi bërë një punë të madhe në stërvitje, por shpesh nuk kemi arritur t’i transmetojmë ato në fushë. Edhe Hugo Almeida i Verder Bremenit, mendon se Portugalia ka bërë një futboll të bukur, pavarësisht se ai pranon se është i pakënaqur me rezultatet negative: “Në disa ndeshje kemi qenë shumë të frustuar, por nuk mund të mendojmë veçse për të marrë tri pikët në Shqipëri”.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›