E Diel, 1 Nëntor 2026

ALUIZNI, vetëm 4 % e aplikimeve kanë marrë leje legalizimi !!

Emirjon Senja

Procesi i legalizimeve prej disa muajsh kishte ngecur në vend duke mos përpunuar më dosje të reja, ndërsa duket se edhe formularët e aplikimeve të dorëzuara gjatë gjithë kësaj periudhe janë pluhurosur në sirtarët e ALUIZNI-t. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një kontroll të veprimtarisë së Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t me seli në Tiranë duke dalë në përfundimin se në këtë institucion shkelja e ligjit nuk përbëm më problem. Kontrolli është ushtruar gjatë periudhës maj-shtator 2011, ndërsa raporti është përfunduar në shkurt të këtij viti.

Por më shumë se shkelja e ligjit në ndjekjen e procedurave të legalizimit, KLSH ka kapur gjatë kontrollit një fakt tejet interesant i cili ka të bëjë me zvarritjen e procedurave për miratimin e lejeve të legalizimit. Nga kontrolli, KLSH ka vërejtur se pranë zyrave të ALUIZNI-t kishin mbërritur gjithsej 270 mijë aplikime nga qytetarët dhe bizneset për legalizim, 240 mijë prej të cilëve kanë paguar tarifën e shërbimit. Nga këto, mësohet se vetëm 8 700 dosje janë dërguar pranë Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t për miratimin e lejes së legalizimit, ndërsa procesi në fjalë është kryer vetëm për rreth 7 040 prej tyre. E përpjesëtuar me shifrën totale, del se vetëm 4 për qind e totalit të aplikimeve janë dërguar për miratim të lejes së legalizimit. Ky fakt tregon për një nivel të ulët performance nga drejtuesit dhe punonjësit e Drejtorisë Qendrore dhe Drejtorive Rajonale të këtij institucioni, – thekson Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e tij pas kontrollit tek ALUIZNI. KLSH lajmëron se do të kthehet përsëri për një kontroll të dytë pranë këtij institucioni pasi të mbarojë verifikimet në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t të Vlorës.

Në përfundim të raportit, KLSH ka kërkuar ndjekjen penale për dy specialistë të ALUIZNI-t me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa kërkoi edhe zhdëmtimin e dëmit prej 42.7 milionë lekë të shkaktuar nga moszbatimi i ligjit. Rekomandimet e KLSH gjithashtu përmbajnë edhe largimin e 15 personave nga detyra në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI-t, 4 në Drejtorinë Rajonale të Durrësit, etj.

Procesi i legalizimeve kishte ngecur prej disa muajsh gjatë të cilëve nuk ishte dhënë asnjë leje e re. Por duket se ekzekutivi ka marrë mësim nga ajo çka ka ndodhur gjatë viteve që shkuan me procesin e legalizimeve në kryeqytet duke vendosur sëfundmi në krye të Drejtorisë së ALUIZNI-t të Tiranës, Kreshnik Bozhon. Ky i fundit ka drejtuar me rezultate tepër pozitive deri pak muaj më parë Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›