AMC blen 12.6% aksione të shtetit për 48 milionë euro
Kompania AMC ka ofruar çmimin më të lartë për blerjen e 12.6% të aksioneve të zotëruara nga shteti shqiptar. Në ankandin e zhvilluar dje për shitjen e pjesës shtetërore të AMC-së, morën pjesë katër shoqëri, mes tyre dhe "Cosmote", e cila zotëron 85% të kompanisë celulare. Oferta më e lartë ishte 48.2 milionë euro nga kompania "Cosmote", e cila mund të bëhet zotëruesja e 97.6% të aksioneve të AMC-së (pjesa tjetër u takon punonjësve dhe pronarëve). Lajmin e komunikoi dje zv/ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Eno Bozdo, i cili shprehu vlerësimet pozitive të procesit. Procesi i privatizimit të AMC-së kishte filluar që në vitin 2000, ku 85% të aksioneve të saj iu shitën kompanisë fituese "Cosmote&Telenor" për 85.6 milionë USD. Pjesa e mbetur e aksioneve nisi të shitej në korrik 2008, proces i cili mbyllet këtë muaj, kurse dje u hapën ofertat për shitjen e paketës shtetërore të 12.6%. Katër kompani morën pjesë në ankand: "Nexus Private Equity Partner", "Bedminster Capital Management", "Axos Capital" GmbH, si dhe "Cosmote Mobile Telecommunications" SA. Po dje qeveria miratoi shitjen e paketës 16.7% të aksioneve të zotëruara në shoqërinë "Albtelekom", proces që mbyllet brenda vitit.