Fullani, bizneseve: Kreditë merrini në lekë, jo në valutë
Për të disatën herë kreu i Bankës së Shqipërisë u bën apel individëve, kryesisht bizneseve, që kreditë duhet t‘i marrin në lekë e jo në valutë. I gjendur në një tur takimesh në Elbasan dhe Pogradec, guvernatori Ardian Fullani kërkoi më shumë kujdes nga ana e bizneseve gjatë procesit të aplikimit të kredisë. "Luhatshmëria e kursit të këmbimit nuk jep garanci për këstet në valutë. Për këtë qëllim ju bëj rritje që kreditë t‘i merrni në monedhën vendase, lek". Apeli i guvernatorit vjen në një kohë kur Banka e Shqipërisë e ka ulur normën bazë të lekut me 0.5 pikë përqindje. Ulja e normës po jep efektet e para te bonot 1-vjeçare, të cilat në ankandin e fundit pësuan ulje të lehta të interesave. Fullani garantoi një sistem bankar solid dhe të besueshëm, duke theksuar edhe një herë se kreditimi në vend do të jetë i qëndrueshëm, pavarësisht krizave ekonomike. Duke u ndalur te vendimet e fundit të BSH-së, Fullani kërkoi vëmendje më të madhe nga bizneset. "Lexojini mirë mesazhet tona, pasi japin parashikime të drejta, në mënyrë që vendimi për marrjen e kredisë të jetë i saktë", tha guvernatori i BSH-së.