E Diel, 1 Nëntor 2026

Procedura të reja për kompensimin e tokës

Ndryshon sërish strategjia e qeverisë për të mbyllur sa më shpejt procesin e kompensimit dhe kthimit të pronës. Me një vendim të marrë dje nga Këshilli i Ministrave, objektet që menaxhohen bashkërisht me privatin dhe që shtrihen mbi toka të ish-pronarëve do të dalin të gjitha në shitje. Pra qeveria do të shesë pjesën e saj te privati, ndërsa të ardhurat do t‘ia kalojë pronarit të truallit të zënë. Vendimi i qeverisë prek sërish ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", duke u munduar që t‘i japë sadopak zgjidhje fenomenit të pronës.

Ndryshimet

Neni 1 i vendimit të djeshëm përcakton disa shtesa në nenin 8 të ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronës". Kështu, shtesa në ligj flet për procedurën e re që do të ndiqet për shitjen e objekteve shtetërore, që janë vendosur mbi prona private. Konkretisht, për tokat e dhëna në përdorim, me qira ose në ndonjë formë tjetër shoqërive tregtare, ku shteti zotëron pjesë të kapitalit ose aksione, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, veprohet sipas rregullit të ri, në bazë të së cilit Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, nga sipërfaqja e tokës së dhënë ka të drejtë t‘ia shesë shoqërisë, me çmim tregu, sipërfaqen e domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë, sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa sipërfaqja tjetër, nëse ka të tillë, i kthehet fizikisht subjektit të shpronësuar. Kur toka e shitur i është njohur subjektit të shpronësuar, të ardhurat nga shitja i kalojnë atij. Kur toka ka qenë dhe është në pronësi të shtetit, të ardhurat nga shitja kalojnë në fondin e kompensimit. Po sipas vendimit, nëse shoqëria refuzon blerjen e tokës, brenda afatit të përcaktuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, toka i kthehet fizikisht pronarit të shpronësuar, kur ka të tillë, dhe marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë dhe subjektit rregullohen sipas legjislacionit civil shqiptar. Në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës" shtohet edhe përkufizimi "…të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave…", që do të thotë që ish-pronari në vend të tokës mund të marrë fondin e krijuar nga shitja e pjesës shtetërore të objektit, i cili menaxhohet bashkërisht me privatin. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, qeveria miratoi dje edhe ligjin "Për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit", i cili pritet të diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›