E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC, bursë studimi për në Perrotis College të Selanikut

AMC, pjesë e grupit COSMOTE, mbështet nismën e Dimitris Perrotis College të ndërmarrë në Shqipëri për dhënien e bursës në studime agrare. Në kuadër të këtij programi, një student i shkëlqyer shqiptar do të përzgjidhet për të ndjekur studimet në Dimitris Perrotis College të Studimeve Agrare, degë e American Farm School, në Selanik të Greqisë. Bursa mbulon shpenzimet e plota të shkollimit për vitin akademik 2008-2009, si dhe shpenzimet e plota të jetesës në qytezën universitare në Selanik. Kjo bursë është për ata shqiptarë që kanë mbaruar shkollën e mesme dhe që zotërojnë shumë mirë gjuhën angleze. Nxiten të aplikojnë studentët që synojnë karrierë në biznes ndërkombëtar, turizëm ose në industrinë ushqimore. Informacioni i nevojshëm në lidhje me procedurën e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm gjenden në faqen e internetit të Perrotis College www.afs.edu.gr/perrotiscollege. Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve dhe dokumentacionit të kërkuar është 22 gushti 2008. Bursat e Perrotis College për vitin 2008-2009 për studentët shqiptarë, grekë dhe rumunë mbështeten respektivisht nga kompanitë AMC, OTE dhe Romtelecom, në kuadër të kontributit të tyre social. AMC-ja e mbështet këtë nismë në kuadër të programit të saj të përgjegjësisë sociale “Pjesëmarrje”, që i kushton mjaft vëmendje edukimit. Kompania AMC është e angazhuar të përmirësojë jetën e të rinjve, ndaj ka ndërmarrë një sërë nismash, ku mund të përmendim “Bursat AMC”, që vazhdon prej 6 vitesh tashmë, nismën e praktikave verore, si dhe programin “Shqipëria lexon” të zbatuar nga UNICEF-i e të mbështetur nga AMC-ja, i cili do të pajisë me bibliotekë çdo shkollë të vendit. Perrotis College është pjesë e American Farm School në Selanik të Greqisë. Ky institut edukativ ofron program akademik trevjeçar dhe diplomën BSc (Hons) – diplomë e nivelit të parë. Kreditet, diplomat dhe certifikatat e dhëna nga Perrotis College njihen nga University of Wales në Kardif (UWIC), degë e University of Wales, i cili është prej më se një shekulli një ndër institucionet e dalluara të arsimit të lartë në Mbretërinë e Bashkuar. COSMOTE, si operatori celular lider në Evropën Juglindore, nxit shkëmbimet në fushën e kulturës dhe edukimit në vendet ku zhvillon aktivitetin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›