E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, Alibali: Ndryshim në ligj për kompensim të shpejtë dhe rritje fondi



Zëvendësministri i Ekonomisë, njëkohësisht edhe numri dy i Partisë Republikane, Neritan Alibali, në një intervistë për “Standard” shprehet se do të dërgohen në Kuvend disa propozime për të ndryshuar ligjin për sa i përket kompensimit të ish-pronarëve. Ai shprehet se ndryshimet e reja ligjore do të përmirësojnë gjendjen aktuale, për të përshpejtuar kompensimin. Ndryshimet e reja ligjore do të kërkojnë që pasuri shtetërore të hidhen në ankand, ku të fitohet më e mira e mundshme, dhe më pas të kompensohen financiarisht ish-pronarët. Alibali shprehet se procesi do të ecë paralelisht, si në kompensim fizik, ashtu edhe në atë financiar. Atje ku prona ka mundësi të kthehet fizikisht, do të kthehet. Amendimet e reja ligjore, të cilat Partia Republikane do t’i paraqesë në shtator në Kuvend, sipas nënkryetarit të PR-së, do të rrisin fondin financiar dhe do të ulin procedurat e kompensimit. Ai thotë më tej se Partia Demokratike ka për t’i mbështetur këto ndryshime ligjore. Alibali drejton edhe një grup pune ndërministror në lidhje me evidentimin e pronave të paluajtshme për t’u përdorur për kompensim fizik. Pak muaj më parë qeveria miratoi fondin e parë fizik për kompensimin e ish-pronarëve me 90 mijë hektarë pyje, tokë bujqësore dhe 29 objekte, por që sipas Alibalit, ky fond do të shtohet më tej. Ai thotë se grupi i punës ka gati 150 objekte për t’u shtuar në këtë fond fizik.

Zoti Alibali, qeveria miratoi pak muaj më parë fondin fizik për kompensimin e ish-pronarëve. Ju drejtoni një komitet ndërministror në lidhje me gjetjen e pasurive për kompensim. Ky fond i krijuar, a do të rritet më tej?

Në fakt është një grup pune i ngritur me urdhër të Kryeministrit, i cili bën koordinimin e objekteve të cilave u mungon dokumentacioni përkatës, për t’i përgatitur dhe dërguar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Produkti i këtij grupi pune është krijimi i tri vendimeve të Këshillit të Ministrave, me anë të të cilave i ka kaluar AKKP-së një fond prej 90 mijë hektarësh pyje dhe kullota, tokë bujqësore dhe 29 objekte të cilat kanë përfunduar të gjitha procedurat e ankandeve. Grupi i punës po vazhdon punën me 150 objekte të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Besoj se tani së shpejti do të përgatisim një paketë prej 30 objektesh, për të vazhduar më tej punën me të tjera, por natyrisht sezoni i verës ka ngadalësuar punën me grupet e vlerësimit. Më tej ne kemi vënë re edhe probleme që kanë të bëjnë me çështjen e kompensimin e ish-pronarëve, ka probleme të ndryshme, pasi edhe vetë legjislacioni është drejtuar tek kompensimi fizik dhe pa krijuar mundësi për të krijuar mundësi kompensimi financiar. Për këtë arsye, duke marrë parasysh këto vështirësi që ekzistojnë, si dhe duke marrë parasysh edhe faktin që ligji për kompensimin e ish-pronarëve ka pësuar ndryshime të ndryshme, shihet e nevojshme për të ndërhyrë. Duke pasur edhe tagrin e nënkryetarit të Partisë Republikane, unë kam informuar edhe kryesinë e PR-së për këto probleme dhe së shpejti do të përgatitet një amendament i ri për ligjin e kompensimit të pronave, i cili do të diskutohet me grupet e interesit dhe më pas në shtator grupi parlamentar i PR-së do të paraqesë amendimet në Kuvend.

Çfarë do të ndryshojë ky amendim në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronës?

Unë mendoj se ky amendim dhe hapësira që do të krijohet për kompensimin financiar të pronarëve, do të krijojë mundësi të reja për të përshpejtuar kompensimin dhe zgjidhjen e çështjes së pronave. Natyrisht, mund të ishte bërë më përpara ky ndryshim, pasi është pak që e kemi evidentuar si problem, por më mirë në këtë moment sesa ta linim pa evidentuar. Në këtë moment, vështirësitë janë se po ecim në rrugë të pashkelura, pasi nuk kemi një model ndërkombëtar për të zgjidhur çështjen e pronës në Shqipëri, pasi nuk ka pasur një precedent botëror si ky në Shqipëri. Jemi detyruar të ndjekim parimin “provo, gabo, pastaj korrigjo”, dhe në këtë mënyrë unë mendoj se ne do të arrijmë rezultate konkrete. Natyrisht, ne pretendojmë që pronat publike, që nuk kanë pronar, do t’i nënshtrohen ankandit dhe në këtë mënyrë do të ketë vlerësim më të mirë të tregut sesa vlerësimet e komisioneve të vlerësimeve.

Si kreu i këtij grupi pune, keni pasur mundësinë që ta shihni situatën nga afër. Është ngritur hipoteza se nuk ka mjaftueshëm burime për të kompensuar ish-pronarët. Mendoni se burimet ekzistojnë?

Ne kemi vënë re që ka shumë pak mjete fizike për të kompensuar ish-pronarët, por ka shumë procedura të gjata të kompensimit, ka shumë probleme të mëdha për kompensimin e pronarëve. Pikërisht për të çliruar këto probleme, ne do të kërkojmë të ndryshojmë edhe kuadrin ligjor që të bëjmë rregullime të shpejta për kompensimin. Natyrisht që ne do të konsultohemi me grupet e interesit, por nuk duhet të humbasë kohë në këtë drejtim.

Ideja e këtyre ndryshimeve është që i gjithë fondi fizik të hidhet në ankand dhe pastaj ish-pronarët të kompensohen financiarisht?

Jo, në asnjë mënyrë. Do të ketë një zhvillim paralel, si në kompensimin financiar të ish-pronarëve, ashtu edhe në kompensimin fizik të ish-pronarëve. Për shembull, në rast se do të marrim një sasi të caktuar pyjesh shtetërore, të themi 100 mijë hektarë, dhe në qoftë se ne do t’i nxjerrim në ankand për investitorët me një 1 euro metri katror, atëherë do të kishim 1 miliard euro për kompensimin e ish-pronarëve. Ky është një shembull i thjeshtë. Pra, ka mundësi që të krijohet edhe burimi financiar, por edhe ai fizik. Natyrisht ne do të qëndrojmë besnikë që aty ku prona ka pronarë, dhe mund të të kthehet, pa dyshim që do të kthehet. Por ne kemi vënë re se statusi i pronarit në Shqipëri, ndryshon nga njëri te tjetri. Duhet gjetur një zgjidhje për secilin status të tillë. Për këtë arsye, është tepër e vështirë, na është dashur të ecim me hapa të ngadalta në këtë drejtim, por në asnjë mënyrë nuk duhet të lëmë situatën në këtë gjendje, prandaj ne do të veprojmë.

Amendimet tuaja duhet të mbështeten edhe nga aleati kryesor, Partia Demokratike. Mendoni se do të merrni mbështetjen e PD-së?

Unë jam i bindur se kjo do të ndodhë, për faktin se kemi një qeverisje të përbashkët dhe kemi qëllime të përbashkëta për kompensimin e pronarëve të vërtetë. Ajo që kemi vënë re është se me zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronave, Partia Demokratike është më afër me Partinë Republikane në krahasim me vitin 2005, kur filluam qeverisjen. Kemi arritur në logjika të përbashkëta duke parë kushtet dhe problematikat. Është i diskutueshëm vrulli për zgjidhjen e çështjes së pronave, por mbetet një nga problemet më të mëdha.

Zoti Alibali, po sot ku e shihni çështjen e pronësisë, pasi siç e përmendët, ka pasur amendime të vazhdueshme, por si kanë ndikuar këto amendime?

Ky ka qenë një proces shumë i gjatë, dhe si nënkryetar i PR-së, mund të them se është dashur me vite të ndryshohet mentaliteti në lidhje me zgjidhjen e çështjes së pronës. Këtu është gabuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo që është pozitive është se vitet e fundit ka një ndërgjegjësim kombëtar, si nga politika, ashtu edhe nga grupet shoqërore se pa një zgjidhje të çështjes së pronës, nuk ka zhvillim apo integrim. Natyrisht që ka pasur dëme që nuk mund të zhbëhen. Por ne nuk ka lejohet që të mos të zgjidhim këtë problem në mënyrë më të mirë të mundshme të drejtë.

Ka pasur një transferim masiv të pronave shtetërore, si pyje dhe kullota, nën administrimin e pushtetit lokal. Mendoni se ky transferim do të sjellë ndërlikim për sa i përket kompensimit të ish-pronarëve?

Unë do të thosha se kjo është një politikë e qeverisë për të transferuar pronat e veta tek pushteti lokal për t’i rritur kartën e autonomisë pushtetit lokal. Dhe ky është një parim i zhvillimit të demokracisë, pra për të hequr dorë nga struktura, pronat etj. në mënyrë për t’u afruar më shumë me qytetarët. Pra, është një politikë e drejtë. Por do të thosha se Shqipëria ka rreth 1.2 milionë hektarë pyje dhe kullota, nga të cilat 600 mijë hektarë kanë kaluar tek pushteti lokal, të cilat do të jenë në shërbim të komuniteteve. Por, ka akoma prona, për të cilat shteti duhet të heqë dorë, për t’i kaluar tek privati pasi janë atraktive. Duhet të bëhet edhe një partneritet me biznesin privat. Mendoj se duke iu rikthyer pronat ish-pronarëve, qoftë në mënyrë fizike apo financiare, do të bëhen partnerë me biznese për të zhvilluar vendin. Nga ana tjetër, ka shumë objekte të cilat i ka shteti dhe mund të përdoren. Mendoj se duhet të ndiqet edhe një politikë e veçantë me këto objekte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›