E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi, shqetësim për uljen e nivelit të dërgesave nga emigrantët



Niveli i dërgesave të parave nga emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë kryesisht në vendet fqinje ka pësuar një rënie gjatë vitit 2007. Ky fakt është parë me tepër shqetësim nga industrialistët shqiptarë, të cilët shpjegojnë edhe efektet negative që përcjell ky fenomen. Sipas tyre, është qeveria ajo që duhet të investojë në infrastrukturën rrugore, sistemin e energjetik etj., me qëllim që të përmirësojnë kushtet, çka do t’i bënte shqiptarët të interesuar t’i investonin paratë në vendin e tyre. Gjergj Buxhuku, drejtor ekzekutiv i Konfindustrisë tha dje se industrialistët kërkojnë marrjen sa më shpejt të masave të duhura për të plotësuar fillimin e rënies së shpejtë të të ardhurave nga remitancat në ekonominë shqiptare, që kanë qenë një nga shtyllat kryesore të deritashme të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë makroekonomike të Shqipërisë. Bazuar në të dhënat e fundit del se për vitin 2007 rritja e të ardhurave nga remitancat ka qenë pothuaj 8 herë më e vogël sesa mesatarja e rritjes se tyre në vite. Një dukuri e tillë ka sjellë drejtpërdrejt edhe uljen me plot 11% të peshës së tyre në mbulimin e deficitit tregtar të vendit, që për vitin 2007 ka qenë në shifrën më të lartë historike në vite. Shenjat e mësipërme të uljes së dërgesave të emigrantëve shqiptarë në vend ka qenë një dukuri e pritshme që ka ardhur koha e përballjes seriozisht me politika ekonomike të studiuara dhe afatgjata. Stabilizimi i emigrantëve në vendet pritëse dhe rritja e kërkesave të tyre për konsum dhe cilësi jete në vendet ku punojnë, do të sjellë në mënyrë të pashmangshme uljen graduale të peshës së remitancave për ekonominë shqiptare. Ka ardhur koha që pikërisht dërgesat e emigrantëve duhet të shikohen dhe trajtohen me politika të posaçme të ndryshme nga politikat pasive të deritashme. Njëkohësisht, duhet të fillojmë të pranojmë faktin se në kohë remitancat nuk mund dhe nuk duhet të jenë burim kryesor mbështetës i zhvillimit ekonomik të vendit. Buxhuku tha dje se Konfindustria vlerëson si domosdoshmëri, që kahu ulës i të hyrave financiare nga emigracioni duhet të plotësohen me rritjen e prodhimit dhe shërbimeve vendore. Në këtë kuptim Konfindustria kërkon që qeveria të marrë disa masa. Së pari, kërkohet përshpejtimi dhe rritja e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe energjitike për të krijuar hyrjen në tregun mbarëshqiptar prej 7 milionësh me efektivitet të të gjitha burimeve ekonomike të vendit dhe hapësirave shqiptare në tërësi. Së dyti, qeveria duhet të ndërhyjë në ndërmarrjen e investimeve themelore të reja në ndërtimin dhe modernizimin e gjithë rrjetit portual dhe aeroportual shqiptar si pasuria më e madhe që zotërojmë duke e parë si pjesë përbërëse e tregut të përbashkët të BE-së ku synojmë të përfshihemi. Po kështu, Konfindustria kërkon ndërmarrjen e politikave ekonomike dhe fiskale për thithjen e teknologjive me të fundit për modernizimin e domosdoshëm të industrive shqiptare si kusht bazë për rritjen e prodhimit vendor, zbutjen e deficitit tregtar dhe kusht bazë i mbijetesës së prodhimit shqiptar në kushtet e rritjes së konkurrencës me prodhimet dhe shërbimet e huaja. Konfindustria kërkon zhdukjen sa më shpejt të jetë e mundur të vrimave të zeza në ekonomi, që vetëm largojnë pa arsye paratë e shqiptareve jashtë vendit si p.sh. në telekomunikacion e telefoni të lëvizshme. Nga ana tjetër, kërkohet edhe formalizimi i domosdoshëm i ekonomisë shqiptare, orientimi i drejtë i investimit të parave shqiptare, si dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronave për të thithur në mënyrë të qëndrueshme investitorë të rëndësishëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›