Mallrat e rezervave të shtetit, administrim të veçantë
Mallrat që mbahen në rezervat e shtetit dhe materialet shtetërore tash e tutje do të kenë një administrim të veçantë. Madje, shteti tani ka të drejtën që të shesë edhe tek privati mallrat e depozituara në rezervën shtetërore në raste krizash dhe të ardhurat t’i depozitojë në arkën e shtetit. Kjo bëhet e mundur falë një vendimi qeverie i cili është miratuar dje në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave. Qeveria vendosi dje të miratojë vendimin për krijimin dhe administrimin e mallrave rezervë materiale shtetërore. Ky vendim u miratua në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 6 e 10, të ligjit “Për rezervat materiale të shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave. Vendimi përcakton që lista përbërëse e mallrave rezervë, në lloje dhe sasi, e ndarë sipas grupeve, si dhe limiti minimal për secilin artikull të jetë sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Është Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit që plotëson dhe siguron sasitë dhe nomenklaturën e mallrave rezervë shtetërore, nëpërmjet financimeve nga buxheti i shtetit; mallrave, që kalojnë në pronësi të shtetit nga kundërvajtjet administrative dhe veprat penale; të ardhurave dhe fondeve financiare, që realizon gjatë veprimtarisë të saj; donacioneve dhe ndihmave të papërdorura, të cilat plotësojnë sasitë dhe nomenklaturën e parashikuar ose e shtojnë atë. Nga ana tjetër sipas këtij vendimi, mallrat e grumbulluara në rezervën e shtetit p.sh. nga sekuestrimet, mund të shiten nga rezervat tek subjekte private dhe të ardhurat t’i shkojnë buxhetit të shtetit. Vendimi përcakton që mallrat rezervë materiale shtetërore, që nuk financohen nga buxheti i shtetit, në çdo kohë transferohen pa pagesë dhe u shiten, nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, subjekteve shtetërore ose private, sipas miratimit të organit që ka këtë kompetencë. Ministri që mbulon fushën përkatëse, nxjerr udhëzime, ku përcakton procedurat, të cilat duhen ndjekur e zbatuar nga institucionet që kërkojnë ndihmë me apo për mallra rezervë shtetërore të grupeve B e C, si dhe për rregullimin në tërësi të marrëdhënieve që krijohen në administrimin e mallrave rezervë shtetërore. Aktet nënligjore, që rregullojnë veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, që bien ndesh me këtë vendim, shfuqizohen. Ngarkohen ministri, që mbulon fushën përkatëse, dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.