E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë; Investohet për sondën e re, trajnohen minatorët

Ndërsa shumica e shqiptarëve këtë periudhë vere ikin me pushime, disa kompani nuk e kanë këtë mundësi, ndërsa vazhdojnë me ngulm planin e tyre të investimeve. Albanian Chrome ACR ka intensifikuar në këtë periudhë përpjekjet për të kompletuar një proces të gjatë investimesh, që deri në fund të periudhës koncensionare pritet të kushtojë mbi 30 milionë euro. “Edhe pse është periudhë pushimesh, ne po punojmë me kapacitet të plotë”, - shpjegon drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i ACR, Elton Beqi. Albanian Chrome ACR ka sjellë në minierën e Bulqizës dhe po monton nën tokë një sondë të re, që do të revolucionarizojë ndjeshëm procesin e shfrytëzimit të minierës. Brenda mesit të muajit gusht do të nisë edhe trajnimi i punëtorëve për përdorimin e kësaj makinerie, ndërkohë që specialistët e kompanisë Atlascopsco, një prej më të njohurave në botë, po garantojnë montimin e saj dhe do të kryejnë edhe aftësimin e minatorëve. “Unë dhe krejt trupa e inxhinierëve të minierës jemi shumë të kënaqur nga cilësia e blerjeve të bëra nga pronarët. Kam besim se shumë shpejt kjo minierë do të jetë në ballë të industrisë minerare në Shqipëri për nga parametrat teknologjikë të shfrytëzimit dhe të sigurisë”, - thotë administratori i saj, Petrit Duva. Albanian Chrome është marrë këto muaj me përgatitjet financiare të një ndërhyrjeje, e cila pritet t’ia zgjasë jetën minierës me të paktën 25 vjet. Pritshmëria e Albanian Chrome ACR është që miniera e Bulqizës të prodhojë 240-250 mijë tonë mineral kromi në vit. Para afro dy muajsh, kompania solli në Shqipëri përfaqësues të Investcredit Bank, degë e grupit bankar komercial Volksbank, bashkë me drejtues të Austria Wirtschaftsservice AWS, një agjenci shtetërore që mbështet kompanitë austriake në tregjet ndërkombëtare. Javën e shkuar u përmbyll edhe procesi i plotë i dizajnit teknik dhe i strukturimit buxhetor në lidhje me donacionin e Albanian Chrome ACR për spitalin e Bulqizës. 20.000 euro do të përdoren për pajisjen më të mirë dhe përmirësimin e pavijonit të patologjisë në mënyrë që t’u shërbehet më mirë banorëve të Bulqizës dhe sidomos minatorëve në nevojë. Në uzinën e ferro-kromit në Elbasan temperatura e punëve mbetet po ashtu e lartë. Albanian Chrome ACR është e bindur që brenda muajit shtator ajo do të mund të fusë në prodhim edhe furrën nr. 2, e cila parashikohet të prodhojë ferro-krom me karbon të lartë, tejet i kërkuar në tregjet ndërkombëtare. Për të nxitur prodhimin dhe për t’i dhënë një mbështetje besimit të punëtorëve të saj, Albanian Chrome po zbaton një seri incentivash, duke u ofruar punëtorëve një shpërblim mbi pagën për çdo realizim të normës së prodhimit. “Punëtorët janë të kënaqur dhe në mënyrë të përsëritur na e kanë shprehur mirënjohjen për këtë vendim, i cili i ndërton marrëdhëniet e punës në bazë të rezultatit dhe nxit respektin mes punëdhënësve dhe punëmarrësve”, - shpjegon drejtori i përgjithshëm, Elton Beqi. Në vizionin e saj, ACR synon të ketë me punëtorët dhe sindikatat një partneritet real dhe një marrëdhënie të shëndoshë mbi parimin e interesit të dyanshëm, në themel të të cilit qëndron siguria në punë. “Ne mbesim të bindur të thellojmë vëmendjen tonë dhe ciklin e investimeve në lidhje me sigurinë në punë, pasi kjo është jetike për të realizuar rritjen e prodhimit mbi bazat e partneritetit real me punëtorët, përkrah kompletimit të infrastrukturës prodhuese”. Në janar të vitit 2009 në Elbasan pritet të hyjë në punë edhe furra e tretë, e destinuar për prodhimin e ferro-kromit me karbon të ulët.

E fundit vetëm për nga radha, ACR po ashtu ka realizuar një investim të rëndësishëm mjedisor në Elbasan, ku funksionon edhe një laborator i posaçëm për vlerësimin e parametrave mjedisorë gjatë gjithë kohës. “Siç e shihni, është një verë e nxehtë investimesh”, - përmbyll përshkrimin e tij Elton Beqi, i cili shton se gjithsesi kompania ka gjetur hapësira për të mbështetur financiarisht rreth 25 minatorë të dalluar për të bërë pushimet e tyre në Vlorë. E themeluar nga DCM DECOmetal e Austrisë dhe grupi rus TERWINGO, Albanian Chrome ACR bleu në pranverë të vitit të kaluar kompaninë italiane DARFO Srl dhe menaxhon kontratën e saj koncensionare, ku bëjnë pjesë veprat kryesore të industrisë së kromit në Shqipëri. Në këtë kontratë koncensionare përfshihen miniera e kromit në Bulqizë, uzina e ferro-kromit në Burrel, uzina e ferro-kromit në Elbasan dhe fabrikat e pasurimit të kromit në Bulqizë dhe Klos.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›