E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Itali, marrëveshje për bujqësinë

Në vjeshtën e këtij viti, pritet që ministrat e Bujqësisë të Shqipërisë dhe Italisë, të nënshkruajnë marrëveshjen për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e bujqësisë. Burime nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK) bënë dje të ditur se këtë fakt e ka konfirmuar ambasadori italian në Tiranë, z. Saba Delia, gjatë një takimi ditët e fundit në Tiranë, me ministrin e BUMK-së, Jemin Gjana. Sipas MBUMK-së, gjatë këtij takimi, Delia është shprehur “se e mirëpret propozimin e ministrit Gjana për nënshkrimin e marrëveshjes me homologun italian të bujqësisë, hap që mund të ndërmerret në vjeshtën e këtij viti, kohë kur mund të vijë në Shqipëri ministri italian i Bujqësisë”. Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në fushën e bujqësisë, ambasadori italian Delia e ka siguruar ministrin Gjana se do të nxisë bashkëpunimin me Federatën Italiane të Peshkimit për dhënien e asistencës teknike në plotësimin e kërkesave e standardeve për mundësinë e eksportit të midhjeve shqiptare në tregjet e BE-së, bën të ditur MBUMK-ja. Ndërkohë, në shtator të këtij viti do të nënshkruhet marrëveshja midis Ministrisë shqiptare të Bujqësisë, Kooperacionit Italian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë për financimin me rreth 2 milionë euro të projektit për ngritjen e laboratorëve të kontrollit ushqimor në Shqipëri. Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë pritet të rrisë shkëmbimin e eksperiencës në fushën e bujqësisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›