AMC çel edicionin e parë të konkursit “Fotot më të mira të bëra me celular, 08
AMC çeli dje, për herë të parë në Shqipëri, ekspozitën e fotografisë së realizuar me aparat celular. Në galerinë “FAP”, pranë Akademisë së Arteve, u ekspozuan punët më të mira, të dala nga konkursi i përvitshëm “AMC i MMS-ve”, i cili u fokusua në fotot më të bukura të vitit 2008, të bëra me celular. Konkursi u zhvillua në “Facebook”, rrjeti social mjaft i njohur dhe masiv kohët e fundit, në bashkëpunim me grupin “Fotografia, pasioni i përjetshëm”. Pjesëmarrësit e shumtë dorëzuan mbi 250 fotografi nga datat 1 deri më 30 nëntor, muaj gjatë të cilit u zhvillua konkursi. Pjesëmarrës kanë qenë të gjithë anëtarët e grupit, të apasionuar pas fotografisë, si dhe miqtë e “AMC-së në Facebook”. Fotot fituese u përzgjodhën nga një juri fotografësh profesionistë, të cilët dhanë edhe vlerësimet individuale për secilën nga fotografitë e paraqitura në konkurs. Juria përzgjodhi 10 fitues, të cilët u nderuan me çmime të veçanta. Të pranishmit u njohën me 10 fotografitë më të mira, si dhe me të gjitha fotot e tjera që u ekspozuan në një mënyrë të veçantë. 10 fotografitë e para u ekspozuan në muret e galerisë, ndërsa 240 fotot e tjera u videoprojektuan. Me çmim të parë u nderua Nesa Llapashtica, me çmim të dytë Isli Islami dhe me çmimin e tretë Vasjan Golka. Për tre vendet e para kompania “AMC” dhuroi nga një aparat celular “Nokia 6500 Classic”, ndërsa për 7 fituesit e tjerë “AMC” dhuroi deri 2 orë kohë bisede falas për secilin. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për dy ditë me radhë, 20 dhe 21 janar, në galerinë “FAP”, pranë Akademisë së Arteve. “AMC” është aktive në rrjetet sociale më të përhapura, “Facebook”, “YouTube” dhe “Flickr”, ku poston fotografi nga aktivitetet e organizuara prej saj, nga koncertet, konferencat për shtyp, jep informacion për aktivitetet e ardhshme, publikon videoklipe dhe u bashkohet grupeve me interesa të përbashkëta.
21 Janar 2009