LSI: PD dhe PS, shkaktare të vonesave për procesin e pajisjes me kartat e identitetit
Lëvizja Socialiste për Integrim përsërit shqetësimin e vonesave në shpërndarjen e kartave të identitetit, duke e akuzuar Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike si shkaktare të këtyre vonesave. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se PD-ja dhe PS-ja kanë përgjegjësi shumë të madhe për gjendjen me të cilën po përballen qytetarët në procesin e pajisjes me karta identiteti, për shkak të zvarritjes që i bënë hartimit të Kodit të ri Zgjedhor. Vasili tha se në kushtet e vonesave shumë serioze, LSI-ja bën propozimet e saj në mënyrë që procesi i kartave të identitetit të mbarojë në afatin e përcaktuar. “Në situatën tepër serioze të krijuar në procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit dhe bazuar mbi qëndrimin e qartë politik të marrjes konkrete të përgjegjësive nga qeveria si përgjegjëse me ligj për këtë proces, LSI-ja bën propozimet e mëposhtme: Qeveria të miratojë një plan emergjent shpërndarjeje që infrastruktura dhe burimet njerëzore përgjegjëse për pajisjen me karta identiteti të funksionojë në 24 orë. Të shpërndajë falas karta për shtresat në nevojë, si pensionistët në fshat dhe qytet, studentët dhe nxënësit, personat që marrin pagesë papunësie, të papunët, personat anëtarë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat”, - tha ai. Më tej propozimet e LSI-së vijojnë me kërkesën për trajtimin me emergjencë të pajisjes së emigrantëve me karta identitetit si dhe me përgatitjen e spoteve me intensitet transmetimi maksimal për të sensibilizuar opinionin publik. “Qeveria të informojë në mënyrë të detyruar dhe në mënyrë të përjavshme për numrin e të pajisurve me karta identiteti si dhe shpërndarjen e tyre sipas njësive vendore”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili. Lidhur me konsensusin e PD-së dhe PS-së për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për monitorimin e procesit të infrastrukturës zgjedhore, Vasili tha se krijimi i bashkëpërgjegjësive fiktive, përveçse krijon konfuzion në marrjen e masave, na largon nga një objektiv i vetëm, që është pajisja e të gjithë qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, për të realizuar zgjedhjet sipas standardeve.
21 Janar 2009