E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, dy variantet për përfaqësimin në KQZ-në e riformatuar



Shaban Sulçe

Përfaqësimi i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ende nuk është përcaktuar, por selia rozë pritet të vendosë midis dy varianteve të menduara prej saj. Varianti i parë për përfaqësimin e PS-së në KQZ-në e riformatuar është ruajtja e përfaqësimit të mëparshëm, pra PS-ja të ketë në institucionin kryesor të administrimit të zgjedhjeve anëtarët që ka pasur në KQZ-në e mëparshme, përpara se ky institucion të shkrihej pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor. Ndërkohë, varianti i dytë është zëvendësimi i anëtarëve aktualë me emra të rinj, të cilët mund të jenë ose zyrtarë në strukturat e PS-së, ose ekspertë, të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në politikën aktive. Të dyja variantet janë të mundshme, thanë ekspertë zgjedhorë të selisë rozë. Por duket se varianti i dytë do të jetë më i mundshmi. Zgjedhja e varianteve si dhe përcaktimi zyrtar i emrave të anëtarëve të PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pritet pak ditë nga fundi i këtij muaji. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, KQZ-ja duhet të funksionojë 30 ditë pas miratimit të tij. Duke qenë se Kodi është miratuar në datën 29 dhjetor, KQZ-ja duhet të fillojë punën e saj më 29 janar, çka do të thotë se përpara kësaj date, PS-ja, por edhe partitë e tjera, duhet të depozitojnë emrat e tyre për anëtarët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

KQZ-ja

Përbërja e KQZ-së së mëparshme ishte me 9 anëtarë dhe e ndarë sipas formulës 8+1. Partia Demokratike përfaqësohej nga Çlirim Gjata, Klemend Zguri dhe Dodë Prenga, ndërkohë që Partia Socialiste përfaqësohej po nga tre anëtarë, përkatësisht Dëshira Subashi, Fatmir Kumbaro dhe Flamur Çato. Tre anëtarët e tjerë të KQZ-së ishin Genti Shala nga LSI-ja, Shkëlqim Hysi nga PDK-ja dhe Arben Ristani nga Partia Republikane. Por, pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, KQZ-ja e mëparshme pushoi së funksionuari dhe të nëntë anëtarët janë detyruar t’i japin lamtumirën funksionit të tyre.
Gjithsesi, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një dispozitë ligjore që mundëson kompensimin financiar për ndërprerjen e mandatit. Nëntë anëtarët e komisionit me të lartë zgjedhor dhe kryetari Çlirim Gjata, për rreth 3 vite pune do të marrin një pagesë kalimtare për mandatin që u ndërpritet në mes në vlerën e pagës çdo muaj, ndërkohë që për ta është propozuar mundësia e rikthimit të tyre në funksionet publike të mëparshme.

Riformatimi

Sipas Kodit të ri Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përbëhet nga 7 anëtarë, ndryshe nga përbërja prej 9 anëtarësh në KQZ-në e mëparshme. Kodi sanksionon të drejtën e partisë më të madhe të maxhorancës për të propozuar dy anëtarë. Po dy anëtarë do të ketë të drejtë të propozojë edhe partia më e madhe e opozitës, pra Partia Socialiste. Anëtari i pestë i KQZ-së do të zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të maxhorancës qeverisëse. Ndërsa anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare. Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetar i KQZ-së, zgjidhet nga grupi parlamentar i partisë më të madhe të maxhorancës, i cili i paraqet Kuvendit një listë prej jo më pak se katër kandidaturash. E vetmja paqartësi për përbërjen e KQZ-së është pikëpyetja se cilës forcë politike do t’i takojë anëtari i tretë i KQZ-së, që do të propozohet nga ana e opozitës. PS-ja deklaroi pak ditë më parë se ekziston mundësia që ky anëtar t’i takojë LSI-së, por kjo solli reagimin e ashpër të Partisë Social-Demokrate.

21 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›