Ish-pronarët do të krijojnë parti për të mbrojtur të drejtat e tyre
Përfaqësues të shoqatës së ish-pronarëve “Pronësi me Drejtësi” kanë bërë të ditur se do të krijojnë partinë e tyre për të mbrojtur të drejtat që i përkasin. “Ka ardhur një moment që pronarët duhet të jenë të përfaqësuar. Ky është një mendim që e ka komplet shoqata dhe kryesia e shoqatës. Ky është problemi, dhe është natyrale që ne të mbrojmë interesat tona; pronarët shqiptarë të mbrojnë interesat e tyre brenda strukturave ligjvënëse”, - është shprehur sekretari i shoqatës, Reshit Vorpsi. Sipas Vorpsit, reforma në pronësi ka dështuar dhe zhgënjimi i pronarëve nga qeverisja aktuale është shumë i madh. “Një reformë pronësie që në fund të fundit është projektuar nga vullneti i të dy partive të mëdha, sepse asnjëra nuk mund të thotë që fajin e ka tjetra, është e dështuar. Fakti që sot detyrimi që ka shteti shqiptar kundrejt nesh është i përmasave shumë të mëdha, do të thotë që reforma është e dështuar”, - është shprehur Vropsi. Megjithatë, ende nuk bëhet e ditur se kur do të krijohet partia e re dhe nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit.
21 Janar 2009