Malaj: “Qeveria Berisha ka cenuar lirinë ekonomike”
Partia Socialiste akuzon qeverinë “Berisha” si shkaktare të kufizimit të lirisë ekonomike në vend. Deputeti socialist Arben Malaj ka komentuar raportin e lirisë ekonomike për vitin 2009, ku theksohet kufizimi i lirisë ekonomike në aspektin e lirisë së pronës dhe niveli i lartë i korrupsionit. “Bazuar në raportin e lirisë ekonomike të vitit 2009 dhe keqpërdorimin që qeveria i bën këtij raporti, të shqetësuar për dështimet në elementet thelbësore të rritjes ekonomike, siç janë pronësia dhe mirëqeverisja, të shqetësuar për fushatat mediatike abuzive që tani kanë përfshirë edhe vetë Ministrinë e Financës, përgjegjësen për keqpërdorimin e fondeve buxhetore, në emër të Grupit Parlamentar të PS-së dëshiroj të theksoj: Liria ekonomike e vendit tonë vazhdon të mbetet e kufizuar, ajo cenohet rëndë nga niveli i ulët i lirisë së pronës dhe niveli i lartë i korrupsionit. Liria e pronës është vetëm 30% dhe liria e korrupsionit 29%, ose niveli më i ulët në të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria, për shkak të uljes së nivelit formal të taksave, vlerësohet se ka lirinë fiskale 92%, por korrupsionin 29%, ndërsa Danimarka, një nga vendet më të zhvilluara dhe me politika sociale të harmonizuara, e ka lirinë fiskale vetëm 35%, por lirinë nga korrupsioni 94%”, - tha deputeti socialist, Arben Malaj.
21 Janar 2009