E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-shikasi: “Avdyl Loshaj, Remzi Hoxha dhe Ziso Kristopuli dyshohej se ishin agjentë të huaj”

Anibal Basha tregon në sallën e gjyqit se Loshajn e mori në pyetje Kumbaro

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda regjistroi dje dëshminë e parë me fakte konkrete në lidhje me zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha dhe rrëmbimeve e torturimeve të Ziso Kristopulit e Avdyl Loshajt. Dëshmitari i thirrur nga akuza, Anibal Basha, asokohe punonjës i SHIK-ut të Tiranës, risolli para kolegjit penal gjithçka që dinte për ngjarjen në fjalë. Basha pranoi se i prezantuari si gazetar, Avdyl Loshaj, është marrë në pyetje nga Shërbimi Informativ Kombëtar në Tiranë. Ai përmendi emrin e Ilir Kumbaros, njërit prej të pandehurve të kësaj dosjeje, si njeriun që drejtonte seancën e pyetjeve ndaj Loshajt. Më tej seanca vijoi me një tjetër dëshmi, atë të ish-shefit të SHIK-ut të Sarandës, Alfred Duka. Ky i fundit shpjegoi se e kishte takuar Loshajn, i cili i ishte prezantuar si gazetar austriak.
Dëshmia
Me sa mbante mend dëshmitari, i shoqëruari Avdyl Loshaj kishte firmosur madje edhe një shkresë ku implikonte Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopullin për veprimtari kundër Shqipërisë. Në të njëjtën kohë dëshmitari i Akuzës, Anibal Basha, mohoi të dinte ndonjë informacion më shumë për dy personat e tjerë të përmendur nga Avdyl Loshaj, pra Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopulin. Sipas Bashës, Loshaj është marrë në pyetje pasi dyshohej si agjent i huaj. Gjatë marrjes në pyetje ka asistuar Ilir Kumbaro, në atë kohë drejtor në Drejtorinë Qendrore të SHIK-ut, i cili i ka kërkuar Bashës që të qëndronte aty. “Emrin e Remzi Hoxhës e kam dëgjuar gjatë marrjes në pyetje të Avdyl Loshajt”, - tha dje gjatë dëshmisë së tij Anibal Basha. Kjo dëshmi konsiderohet tepër e rëndësishme për prokurorinë dhe pas asaj të Ziso Kristopulit është e para për pjesën e dëshmitarëve të SHIK-ut që konfirmon shoqërimin e tre personave nga këto struktura.
“Gazetari”
Për ish-kreun e SHIK-ut të Sarandës, Avdyl Loshaj ishte një gazetar austriak, të paktën kështu e ka njohur ai. “Loshajn e kam takuar në Sarandë, më është prezantuar si gazetar austriak, kishte dhe pasaportë austriake”, - ka shpjeguar në dëshminë e tij Alfred Duka. Madje Duka shpjegoi se Loshaj i kishte thënë që kishte raportuar si gazetar edhe nga Bosnja. “Kam dërguar një oficerin tim që ta sillte në bazë. Fillimisht refuzoi pastaj është paraqitur. Meqë se nuk dinte shqip kam marrë edhe një përkthyese. Më ka thënë që ka qenë gazetar 2-3 vjet në Bosnjë. Më tregoi disa plagë që kishte në trup, dokumentet. Në fund më tha se ishte me pushime, të cilat ia kishte bërë dhuratë redaksia ku ai punonte. Për hyrjet e tij në komisariat më ka sqaruar se kishte lidhje me profesionin e tij”, -vijoi ish-kreu i SHIK-ut të Sarandës. Duka shpjegoi para kolegjit penal se e kishte shoqëruar para shumë vitesh Avdyl Loshajn pasi po kryente lëvizje të dyshimta në këtë qytet. Pas dëshmisë së Dukës procesi gjyqësor u shty për të vijuar në një seancë tjetër po me dëshmitarë të akuzës.

Dosja

Të pandehurit e këtij procesi janë: Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Ata akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit dhe të Avdyl Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut. Aty “pengjet” janë torturuar për disa ditë. Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas Akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja.

Kërkohet Kumbaro

Ilir Kumbaro është shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2003, kur Prokuroria e Tiranës arrestoi tre të akuzuarit e tjerë për ngjarjen, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Kumbaro ka qenë i pranishëm gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të tre personave: Ziso Kristopuli, Remzi Hoxha dhe Avdyl Loshaj. Ata dyshohet se janë mbajtur në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku sipas hetimeve janë keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje nga punonjësit e Shërbimit Informativ.

21 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›