E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Brendshme, institucioni shtetëror më shumë i paditur në Gjykatë

Ish-policët rrisin borxhet e Ministrisë me vendimet e Gjykatës për rikthim në punë. Kosto më të lartë financiare ka padia civile e ish-kreut të uniformave blu, Bilbil Mema

Laureta Rryçi

Tiranë - Ish-drejtuesit e policisë shpeshherë kthehen në “koka turku” të rrotacionit politik, por pasi i largojnë nga puna, pjesa më e madhe e tyre gjejnë si zgjidhje gjykatën. Statistikat zyrtare tregojnë se në gjykatë më shumë padi janë regjistruar ndaj Ministrisë së Brendshme. Burime zyrtare nga Gjykata e Tiranës pohuan dje për gazetën “Albania” se gjatë vitit 2007 janë shqyrtuar 58 dosje që mbanin emrat e ish-efektivave të policisë. Ndërsa shifra ka ardhur duke u rritur në 100 në vitin 2008 dhe vijon edhe këtë vit më dhjetëra padi të tjera. Të gjendur përballë vendimit për largim nga puna, ish-efektivat nuk kanë ngurruar të përpilojnë një padi për të përfituar të paktën ligjërisht rikthimin në detyrë. Mes emrave të paditësve gjen dhe emra drejtuesish që deri pak kohë më parë iu ishin besuar drejtori të qyteteve më të mëdha të vendit. Koston më të lartë financiare e mban padia e ish-kreut të Policisë së Shtetit, Bilbil Mema. Ish-drejtuesi, edhe pse mban gradën më të lartë pas largimit nga puna në kundërshtim me procedurat ligjore, nuk përfitoi asnjë pagesë ekonomike. Pas shumë vitesh në pritje, Mema i është drejtuar sërish gjykatës, kësaj here me disa kërkesa që do të rëndojnë më tepër borxhin e Ministrisë së Brendshme ndaj ish-efektivave të Policisë së Shtetit.
Paditë
Me një vendim gjykate të formës së prerë, ligjërisht ata mund të bëhen pjesë e policisë, edhe pse deri sot asnjë prej fituesve të gjyqit nuk është kthyer në detyrën që ka pasur. Duket se shumë prej tyre mund t’u sigurohet një vend pune vetëm kur të kemi sërish një rrotacion politik. Pjesa më e madhe e këtyre padive argumentojnë se arsyeja e vetme për largimin nga puna ka qenë reforma politike brenda radhëve të uniformave blu. Gjykata e Tiranës, për të njëjtën objekt padie, është shprehur në mënyra të ndryshme. Një pjesë prej tyre i janë gëzuar jo vetëm rikthimit në detyrën e mëparshme, por edhe dëmshpërblimit për muajt që kanë qenë të papunë. Ndërkohë, ka nga ata që iu është pranuar një nga kërkesat që mund të kenë pasur në objekt padinë e depozituar për shqyrtim në gjykatë. Vetëm gjatë vitit 2007 janë shqyrtuar 58 dosje të kësaj natyre, ndërkohë shifra sa vjen e rritet në vitet në vazhdim e deri në ditët e sotme.
Fitues të panjohur
Ish-drejtorë, me vendim gjykate, duhet të jenë në postet që kanë pasur realisht, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ministria e Brendshme apo dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nuk janë institucionet e vetme që nuk zbatojnë vendimet e formës së prerë të gjykatave për rikthime në detyrë. Rasti i parë nisi që me gradën e ish-drejtuesit të lartë Bilbil Mema dhe me kalimin e viteve të shumë drejtuesve të tjerë që pësuan të njëjtin fat, edhe pse me gradë dhe funksion më të ulët.

Padia e Bilbil Memës

Të paditurit: Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit
Lloji i çështjes: Padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ
Baza Ligjore: Neni 121 - 129
Objekti: Detyrimin e palës së paditur të paguajë për çdo muaj vlerën e paguar nga paga bazë sipas rolit dhe gradës prej 37500 lekë për çdo muaj nga dt 07.04.2005 deri më dt. 07.04.2008 si dhe interesin e munguar. Detyrimin e palës së paditur për të më paguar për çdo muaj vlerën e paguar nga paga për natyrë të veçantë pune e shërbimi në masën 20 0000 lekë në çdo muaj nga dt 07.04.2005 e deri në datën 07.04.2008 si dhe interesin e munguar detyrimin e palës së paditur për të ndryshuar, plotësuar dhe dërguar në DSSH Tiranë vërtetimin modelar nr. 2 për pagën referuese për efekt të përfitimeve nga sigurimet suplementare vendosur në pagën bazë mujore 124 500 lekë si dhe shtesën me karakter të përhershëm për natyrë të veçantë pune e shërbimi në masën 20000 lekë.
Statusi i dosjes: Gjykim
Gjyqtari: Farije Budo

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›