Transplantimi i dytë i veshkave, në fund të muajit
Transplantimi i dytë i veshkave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të kryhet në fund të muajit maj. Lajmi konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë. Pacienti që do të kryejë ndërhyrjen do të jetë rreth të njëzetave dhe dhurues do të jetë një nga prindërit e tij. Aktualisht janë kryer të gjitha analizat e nevojshme, kontrollet dhe ekzaminimet dhe janë vendosur mjekët që do të kryejnë ndërhyrjen, të cilët tashmë janë gati. Po kështu, ndihma dhe asistenca e mjekëve italianë do të jenë të pranishëm gjatë kësaj ndërhyrjeje. Operacioni do të realizohet nga mjekët shqiptarë, me asistencën e specialistëve të huaj. Deri në fund të vitit 2009 do të realizohen edhe gjashtë ndërhyrje të tjera. Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia, deklaroi se javën e ardhshme mjekët shqiptarë do të ndjekin punimet shkencore në konferencën europiane të nefrologjisë.
Gripi i derrave, 1 mijë raste të reja brenda 24 orëve
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka regjistruar dje më shumë se 1000 raste të tjera të gripit të derrave në 24 orë, duke e çuar bilancin në 7520 persona të infektuar në botë. Aktualisht, bilanci i viktimave nga virusi A (H1N1) shënon 65 persona të vdekur. Bilanci i mëparshëm i botuar të enjten, numëronte 6497 persona të infektuar në 33 vende të botës. Specialistët parashikojnë se gripi i derrave mund të prekë 1/3 e popullsisë së botës. Studiuesit bëjnë të ditur se gripi A ka potencialin e një pandemie, që përhapet mes njerëzve dhe që mund të marrë përmasa globale brenda 6-9 muajve. Një në tre persona mund të infektohen, thuhet në studimin e publikuar në revistën “Science”. Sipas ekspertëve, është ende herët të thuhet nëse virusi do të shkaktojë vdekje në shkallë masive, ose nëse do të jetë pak më vdekjeprurës se gripi normal. Profesori Neil Ferguson shprehet se duke analizuar përhapjen e sëmundjes në Meksikë, virusi H1N1 është po aq i rrezikshëm sa pandemia e vitit 1957, që shkaktoi 2 milionë të vdekur në botë, por jo sa gripi spanjoll i vitit 1918, që shkaktoi 50 milionë viktima. Shefja e OBSH-së, Margaret Chan, ka deklaruar se testimi i vërtetë për gripin e derrit do të bëhet kur një pjesë e vendeve të preken nga gripi sezonal i dimrit.
Ndërsa në vendin tonë qytetarët janë njohur me simptomat e gripit nëpërmjet fletëpalosjeve që janë shpërndarë në çdo qendër shëndetësore. Përmbajtja e fletëpalosjeve bën të ditur të gjitha rregullat që duhen zbatuar nga qytetarët në të gjitha rastet. Zbatimi në imtësi i rregullave të higjienës personale, larja dhe dezinfektimi i vazhdueshëm i duarve, mënjanimi i frekuentimit të vendeve publike, janë disa prej rekomandimeve të specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkaq, për gjithë personat që shfaqin simptoma të gripit rekomandohet vizitë e menjëhershme te mjeku, regjim shtrati, izolim nga të tjerët për disa ditë, përdorim i lëngjeve me shumicë si dhe konsumim i ushqimeve të pasura me kalori dhe vitamina.
16 Maj 2009