E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC finalizon ambientet e reja në Bibliotekën Kombëtare

Rimodelimi i ambienteve të reja në Bibliotekën Kombëtare me kontributin e AMV u finalizuan dje. “Atrium” do të quhet ky mjedis i ri i BKSh, që do të përdoret tanimë për promovime librash, ceremoni përkujtimesh të autorëve, ngjarje historike të kulturës, ligjërata etj. ideja për përftimin e një hapësire për të stimuluar edukimin dhe mësimin lindi si nevojë e BKSh për një mjedis të tillë bashkëkohor të munguar. Ishte nisma e drejtorit të BKSh, z. Aurel Plasari, për t’ua kushtuar këtë sallë veprimtarive kulturore mjaft të nevojshme në kushtet e sotme të një shoqërie të hapur dhe të një komunikimi të drejtpërdrejtë me lexuesit dhe përdoruesit e Bibliotekës. Salla e re, që ndodhet po në ndërtesën e BKSh, është ridimensionuar falë mirëkuptimit dhe mbështetjes së AMC. Nga bashkëpunimi midis Bibliotekës Kombëtare dhe AMC ka qenë realizuar, vitin e kaluar, edhe restaurimi dhe modernizimi i sallës së leximit. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari, Menaxheri i Marrëdhënieve të Korporatës në AMC Nikos Parastatidis, anëtarë të këshillave shkencorë dhe administrativë të BKSH, specialistë të AMC, përfaqësues së mediave etj. Ceremoninë e nderoi me praninë e saj edhe zv.ministrja e TKRS znj. Suzana Turku. Mbas prerjes së shiritit tradicional, në sallën që përurohej Nikos Parastatidis e siguroi drejtorin e Bibliotekës Kombëtare se kjo kompani do të vazhdojë të mbështesë edhe në të ardhmen nisma në dobi të kultivimit të leximit. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari shprehu, në emër të institucionit që drejton, falënderimet për mirëkuptimin dhe mbështetjen e kompanisë AMC, si këtë vit ashtu edhe vitin e kaluar, për të ndihmuar në ridimensionimin dhe modernizimin e mjediseve të Bibliotekës Kombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›