E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çiftet pa fëmijë, mjekët: Të vizitohen dhe meshkujt

SHKRUAN: Jonida Tashi 16-04-2011 11:43

Pamundësia e çifteve për të sjellë në jetë një fëmijë nuk është më vetëm “faj” i femrave, por edhe i meshkujve. Megjithëse në vendin tonë, ndryshe nga vendet e tjera të botës, për shëndetin riprodhues vizitohen dhe kujdesen përgjithësisht vetëm femrat, tashmë duket se kohët kanë filluar të ndryshojnë. Mjekët sqarojnë se çiftet që nuk kanë fëmijë, duhet që paralelisht me kontrollin e femrës t’i drejtohen mjekut androlog për shëndetin riprodhues të mashkullit, gjë e cila ndodh fare rrallë, për shkak të mungesës së informacionit. Ndonëse nuk janë bërë studime, sipas bluzave të bardha, është në rritje numri i meshkujve që kanë probleme me shëndetin riprodhues. “Njerëzit duhet të paraqiten te mjeku dhe shumë nga këta kanë ardhur te mjekët, kanë marrë këshilla dhe mjekime, janë operuar dhe kanë krijuar familje”, - është shprehur mjeku i njohur urolog Flamur Tartari. Sipas një studimi të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, meshkujt gjithnjë e më shumë po preken nga andropauza, që njihet ndryshe si kriza e moshës së mesme. Por, ndryshe nga femrat, të cilat kanë informacion mbi menopauzën, 97% e meshkujve të pyetur nuk dinë asgjë mbi andropauzën. Sipas këtij studimi, duke filluar nga mosha 30 vjeç, meshkujt kanë një ulje të testosteronit me 10% për çdo dekadë. Pikërisht për të dhënë më shumë informacion rreth andropauzës, dje në Tiranë është zhvilluar Samiti Ndërkombëtar i Andrologjisë dhe Urologjisë. Në këtë samit, ku ka qenë i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, mjekë andrologë të huaj dhe shqiptarë kanë folur për metodat e moderuara të mjekimit të meshkujve në rastet me probleme mbi shëndetin riprodhues. “Ndërhyrjet urologjike datojnë për një periudhë 30-40-vjeçare në Shqipëri. Pra, do të thotë se është një rrugë e gjatë, do të thotë se Shqipëria nuk është vetëm pjesë e kësaj fushe shkencore, por është pjesë e thellimit të saj. E rëndësishme është që çdo individ, në kohën dhe momentin e duhur, të kërkojë ndihmën mjekësore, sepse sot mundësitë për rikuperim pothuajse 100% janë shumë të mëdha”, - tha ministri Vasili. Por, cilat janë shenjat e andropauzës dhe si ndikon ajo në jetën e një mashkulli? Sipas specialistëve të Shëndetit Publik, moshat minimale janë 30 vjeç dhe ato maksimale 80 vjeç. Simptomat janë plogështi, këputje, probleme me gjumin dhe me aktivitetin seksual. Përsa i përket trajtimit, mjekët shprehen se meshkujt mund të mjekohen përmes hormoneve. Terapia sjell përmirësim të humorit, ulje të nervozizmit, përmirësim të cilësisë së gjumit dhe jetës seksuale si dhe rritje të masës muskulare.

97% e meshkujve në vendin tonë nuk kanë informacione për andropauzën, ndërkohë që vetëm 3% e tyre kanë njohuri për këtë patologji

30 vjeç është mosha minimale, kohë në të cilën te meshkujt fillon ulja e nivelit të testosteronit me 10% në çdo dekadë, deri në moshën 80-vjeçare

“E rëndësishme është që çdo individ, në kohën dhe momentin e duhur të kërkojë ndihmën mjekësore, sepse sot mundësitë për rikuperim pothuajse 100% janë shumë të mëdha”

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›