E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrenjtimi i euros, efekte në borxhin publik dhe turizmin

SHKRUAN: Sabina Veizaj 16-04-2011 11:31

Rekordi i shtrenjtimit të euros ka arritur qëndrueshmëri, duke mos pësuar as luhatjen më të vogël në tregun e brendshëm. Ndërsa monedha kombëtare lek, vazhdon të dobësohet në raport me monedhën europiane. Në të gjitha agjencitë e këmbimit valutor në kryeqytet, një euro tregtohej dje me 142 lekë. Kurse sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një euro tregtohej dje me 141, 64 lekë. Duke iu referuar bursës ndërkombëtare, sipas agjencisë prestigjoze “Bloomberg”, një euro këmbehet EUR-USD me 1.4441 dollarë amerikan. Agjentët valutorë, argumentin e vetëm të shtrenjtimit të monedhës së eurozonës, japin reflektimin e tregut ndërkombëtar. Sipas tyre, gjendja do të vazhdojë të mbetet e njëjtë edhe për shumë kohë, duke rrezikuar monedhën kombëtare lekë. Ndërsa ekspertët e shpjegojnë këtë raport të monedhës europiane me lekun, me transferimin e të ardhurave të kompanive të huaja jashtë kufijve. Megjithatë, sipas tyre, gjendja është e përkohshme. Por, ekspertët shprehen në të njëjtën kohë se, situata aktuale e tregut valutor në vend ka efektet e saj negative në ekonomi në tërësi, sidomos në rritjen e borxhit publik dhe sektorin e turizmit. Sipas tyre, tanimë borxhi publik i vendit nuk varet më vetëm nga shpenzimet e qeverisë, por edhe nga kursi i këmbimit. Përherë kur leku zhvlerësohet përballë monedhës së eurozonës, borxhi i Shqipërisë rritet dhe ata sqarojnë se po u rrit borxhi, është vështirë për t’u ulur sërish. Në të njëjtën kohë, ekspertët me rritjen e euros shohin në vështirësi edhe sektorin e turizmit vendas dhe kërkesën për turizmin e huaj. Sipas tyre, kërkesa është frustruar, si pasojë e krizës së çmimeve të larta dhe rritjes së euros. Nga një vëzhgim në agjencitë turistike në kryeqytet, është vënë re çelja e sezonit turistik me paketa të reja pranverore për fundjavë dhe pashkë. Sipas agjentëve turistikë, destinacionet më të kërkuara janë ato të rajonit, Mali i Zi, Kroaci, Maqedoni, Greqi, megjithatë sipas tyre edhe pse paketat e këtij viti kanë shënuar rënie çmimi 10-20%, kërkesa ka rënë krahasimisht me një vit më parë. Paketat që ofrohen në këtë sezon janë në destinacionet: Selanik, Udhëtim me autobus 3 ditë, 125 euro, nisja më 13 maj, Splendid Resort Budva, paketë për fundjavë 175 euro, Hotel Lipka Kolashin paketë për pashkët 99 euro, Dubrovnik udhëtim me autobus, 3 ditë, nisja më 29 prill, 115 euro. Agjentët turistikë parashikojnë një sezon jo të favorshëm për turizmin vendas, pasi rritja e monedhës euro duke zhvlerësuar lekun dhe rritja progresive e çmimeve, do të bëjë që me buxhetin e planifikuar për pushime, familjet shqiptare do të shpenzojnë më shumë jashtë kufijve, duke eksploruar turizmin në drejtime të ndryshme se sa atë tradicional të vendit ku bëhet vetëm banjo dielli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›